Anëtarja e jurisë foli publikisht, avokatët e Trump kritikojnë hetimin në Xhorxhia

23/02/2023 21:00

Avokatët e ish-presidentit Donald Trump në Xhorxhia po kritikojnë hetimin e Qarkut Fulton për ndërhyrje të mundshme të paligjshme në zgjedhje pasi një anëtare e jurisë së madhe u shfaq në publik duke bërë komente lidhur me hetimin këtë javë.

Emily Kohrs foli fillimisht në një intervistë të publikuar të martën nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe më pas u intervistua nga media të tjera dhe kanale televizive. Ajo përshkroi disa nga gjërat që kishin ndodhur në diskutimet e jurisë së posaçme të madhe, duke përfshirë mënyrën se si u sollën disa dëshmitarë, si ndërvepruan prokurorët me dëshmitarët dhe se si disa dëshmitarë shfrytëzuan të drejtën e tyre për t’iu mos përgjigjur disa pyetjeve.

Avokatët e ish-presidentit Trump, Drew Findling dhe Jennifer Little thanë se pavarësisht se kishin shqetësime në lidhje me jurinë e madhe që nga fillimi, ata heshtën nga respekti për procesin e punës së tyre. Por ata thanë se informacionet e ofruara nga zonja Kohrs këtë javë i detyruan të flisnin.

“Produkti përfundimtar i këtij procesi është se besueshmëria e çdo gjëje që ka ndodhur gjatë punimeve të jurisë së madhe është plotësisht e njollosur dhe e vënë në pikëpyetje”, tha avokati Findling në një intervistë me agjencinë e lajmeve Associated Press të mërkurën në mbrëmje.

“Ajo është një produkt i një cirku nën petkun e një jurie të madhe me qëllime të posaçme”, tha ai.

Avokatët Findling dhe Little thanë se i kanë nën kontroll të gjitha çështjet ligjore në këtë rast dhe po i mbajnë opsionet e tyre të hapura.

Juria e madhe e posaçme u mblodh me kërkesë të prokurores së Qarkut Fulton, Fani Willis, e cila po heton ish-presidentin Trump dhe aleatët e tij republikanë, për krime të mundshme për kohën kur ata u përpoqën të përmbysnin humbjen e ngushtë të zgjedhjeve të 2020 ndaj demokratit Joe Biden në shtetin e Xhorxhias. Juria e posaçme nuk kishte fuqinë për të ngritur akuza, por mund t’i ofrojë rekomandime prokurores demokrate Willis, e cila ka në dorë të vendosë, nëse do të ngrejë akuza përmes një jurie të madhe të rregullt.

Zyra e prokurores Willis ka refuzuar të komentojë paraqitjet e anëtares së jurisë Emily Kohrs në media, duke thënë nuk kishte njohur paraprake mbi planet e saj për të dhënë intervista. Zëdhënësi Jeff DiSantis gjithashtu refuzoi të enjten të fliste lidhur me komentet e avokatëve Findling dhe Little.

Avokatët Findling dhe Little shprehën shqetësimin se juria e madhe speciale, për të cilën ata thanë se duhej t’i bazonte rekomandimet e saj për prokuroren e qarkut në provat dhe dëshmitë e paraqitura, u lejua të shikonte lajmet në televizion dhe të lexonte shkrimet lidhur me përpjekjet e disa dëshmitarëve për të mos dëshmuar. Emily Kohrs tha se prokurorët u thanë anëtarëve të jurisë, se mund të lexonin dhe shikonin lajmet, por u kërkuan atyre që të ishin mendjehapur.

Zonja Kohrs ndau gjithashtu anekdota të shumta nga procedurat që i dukeshin argëtuese dhe gjatë intervistave televizive shpesh ajo qeshi dhe bëri gjeste të tjera të ndryshme lidhur me procesin e punës së jurisë së madhe.

Avokatët Findling dhe Little thanë se zyra e prokurorit të qarkut, e cila po këshillonte jurinë e madhe speciale, duhet të kishte bërë një punë më të mirë në edukimin e anëtarëve të jurisë së madhe rreth solemnitetit të procesit, rregullave dhe kufizimeve që ata kanë.

“Kjo nuk është një shaka”, tha zoti Findling. “Nuk është një çështje për të cilën duhet qeshur, ose buzëqeshur.”

Zoti Trump në një postim në rrjetet sociale të mërkurën e quajti hetimin në Xhorxhia “qesharak, një vazhdim të gjuetisë më të madhe të shtrigave të të gjitha kohërave me motive politike”. Ai shprehu pakënaqësi të thellë për vendimin e zonjës Kohrs “për të bërë paraqitje në media mbi punën dhe diskutimet brenda jurisë së madhe”.

Avokatët e ish-presidentit Trump thanë gjithashtu se kjo situatë mund të ishte shmangur, nëse gjykatësi do të kishte udhëzuar anëtarët e posaçëm të jurisë së madhe, që të mos flisnin me mediat, derisa të publikohej raporti i tyre i plotë përfundimtar. Disa pjesë të raportit u publikuan javën e kaluar, por gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Qarkut në Fulton, Robert McBurney tha se gjithë pjesët që rekomandojnë akuza specifike për njerëz të veçantë, do të mbeteshin sekret për momentin.

Gjatë një seance dëgjimore muajin e kaluar, një avokat i një koalicioni të mediave, duke përfshirë agjencinë e lajmeve Associated Press, kishte kërkuar publikimin e menjëhershëm të raportit të plotë.

Në sistemin federal, anëtarët e jurisë së madhe e kanë të ndaluar të flasin për atë që kanë thënë dëshmitarët, ose për çdo gjë, që ka ndodhur në dhomën ku diskutohet për hetimet. Por betimi i bërë nga anëtarët e jurisë speciale të madhe në Xhorxhia thotë se ata e kishin të ndaluar të flisnin vetëm për diskutimet e tyre.

Juria e madhe u shpërnda më 9 janar dhe gjykatësi McBurney i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se ai u takua me anëtarët e saj për t’ua bërë të qartë “rregullat e procesit”, për ato që lejoheshin dhe nuk lejoheshin ligjërisht të diskutonin publikisht.

Në bazë të rregullave, gjykatësi tha se ata mund të diskutonin se çfarë kishin thënë dëshmitarët dhe çfarë përmban raporti, por nuk mund të flisnin për diskutimet mes tyre, sepse kështu thoshte betimi që ata kanë bërë.

Avokatja Little tha se beson se disa nga gjërat që Kohrs diskutoi në intervista, ishin pjesë e diskutimeve, duke përfshirë pjesën kur ajo foli për vendimet për të rekomanduar aktakuza të shumta dhe arsyet pse anëtarët e jurisë së madhe nuk kërkuan ta thirrnin ish-presidentin Trump për të dëshmuar.

Prokurorja Willis ka thënë që nga fillimi i hetimit dy vjet më parë, se ajo ishte e interesuar për një telefonatë më 2 janar të vitit 2021, në të cilën ish-presidenti Trump, i sugjeroi Sekretarit të Shtetit të Xhorxhias, republikanit Brad Raffensperger, të “gjente” votat që nevojiteshin për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në këtë shtet.

“Gjithçka që dua të bësh është kjo: dua të gjesh vetëm 11780 vota”, kishte thënë zoti Trump gjatë asaj telefonate.

Gjatë më shumë se dy viteve që nga fillimi i hetimit të prokurores Willis, është bërë e qartë se hetimi i saj është zgjeruar në fusha të tjera, duke përfshirë një listë të dytë, alternative, të paligjshme, elektorësh republikanë, të cilët u betuan se zoti Trump, kishte fituar zgjedhjet në këtë shtet dhe një ndërhyrje në një pajisje zgjedhore në një qark rural në jug të Xhorxhias./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA