Një padi e re është depozituar në Prokurorinë e Posaçme, SPAK nga gazetari Adriatik Doçi ndaj ish-ministrit të Financave, Arben Ahmetaj.
Padia ka të bëjë me një vilë të përfituar nga ish-ministri Ahmetaj në Hamallaj nga Klodian Zoto, sipas gazetarit.
Doçi deklaroi se vila është porositur nga Klodian Zoto dhe tani është emër të bashkëjetueses së Ahmetajt, Eriola Hoxha dhe kap vlerën e 1 milionë eurove.
Gazetari kërkon ndjekje penale nga SPAK për ish- zv. kryeministrin, i cili aktualisht është deputet në Kuvend, bashkëjetuesen e tij, Eriola Hoxha dhe ish-bashkëshorten, Albina Mançka.
“Të paditurit janë Arben Ahmetaj, ish-bashkëshortja e tij Albina Mançka dhe bashkëjetuesja Eriola Hoxha. Kallëzimi bazohet në disa fakte dhe prova të mbledhura nga unë, por dhe të publikuara nga emisioni Inside Story. Ahmetaj ka përfituar një vilë nga Klodian Zoto. Këtë vilë e ka përfituar nga abuzimi me detyrë si ministër i Financave. Vila është porositur nga Klodian Zoto dhe sot është në emër të bashkëjetueses zyrtare të Ahmetajt, Eriola Hoxha. Kemi të bëjmë me një ryshfet që kap vlerën e rreth 1 milionë eurove. Vila ndodhet në zonën e Hamallajt. Vila është dhënë sepse Ahmetaj ka qenë finalizues i aferës së çështjes së inceneratorëve, ku ka firmosur në vitin 2014 dhe ka dhënë fondet më pas. Klodian Zoto i ka kthyer reston dhe i ka dhënë një vilë në emër të një personi të besuar nga Ahmetaj”, deklaroi Doçi për mediat, pasi depozitoi kallëzimin në SPAK.
Kujtojmë se gazetari ka dorëzuar më herët dhe padi të tjera në SPAK, në lidhje me Arben Ahmetajn, ku ka publikuar faturat e hoteleve luksoze ku ishin paguar me kartën e bankës së Klodian Zotos për ish-ministrin e Financave.
Kallëzimi i plotë i gazetarit Adriatik Doçi
Top Channel