Sekuestrohen 125 mijë euro të padeklaruara në portin e Durrësit, arrestohen dy drejtuesit e autobusit

21/02/2023 15:53

Dy persona janë arrestuar pasi po transportonin në hyrje të portit të Durrësit me autobus 125 050 euro të padeklaruara.

53 vjeçari Dritan Malaj i cili ishte shofer i autobusit të linjës Durrës-Bari-Durrës dhe 31 vjeçari Judmir Osmëni janë ndaluar nga policia kufitare për kontroll më të imtësishëm.

Gjatë kontrollit të autobusit janë gjetur poshtë dy sediljeve 67 460 euro të ngjitura me natriban. Më pas gjatë kontrollit fizik, Malajt i janë gjetur 9 500 euro ndërsa 31 vjeçarit iu gjetën 48 090 euro.

Këto para janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Të dy drejtuesit e autobusit akuzohen për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.

“Port Durrës/Kontrolle intensive, bazuar në analizën e riskut dhe në inteligjencën informative, për goditjen e krimeve ndërkufitare. Falë kontrolleve dhe bashkëpunimit efikas mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe autoriteteve doganore, si dhe inteligjencës informative të siguruar nga Policia e Shtetit, goditet, në hyrje të portit të Durrësit, një tjetër rast rast i mosdeklarimit të një shume të madhe eurosh. Finalizohet operacioni policor i koduar “Linja”. Sekuestrohen 125 050 euro. Vihen në pranga 2 drejtuesit e autobusit të linjës Bari-Durrës. Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financare në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe me autoritetet doganore, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu edhe në hyrje, në portin e Durrësit. Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut të bërë nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare dhe në inteligjencën informative të siguruar nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Durrës, në hyrje, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, autobusi i linjës Durrës-Bari-Durrës, që drejtohej nga shtetasit D. M., 53 vjeç, banues në Vlorë dhe J. O., 31 vjeç, banues në Fier. Gjatë kontrollit në autobus, poshtë 2 sediljeve, u gjetën të ngjitura me natriban 67 460 euro. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit D. M. iu gjetën 9 500 euro, ndërsa shtetasit J. O. iu gjetën 48 090 euro. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithsej 125 050 euro. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit D. M. dhe J. O., për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës”, sipas njoftimit të policisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA