Drejtori i AMF prezanton projektligjin “Për fondet e pensionit privat” në Komisionin për Ekonominë dhe Financat

21/02/2023 14:50

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete prezantoi para Komisionit për Ekonominë dhe Financat projektligjin e ri “Për fondet e pensionit privat”.

Në fjalën e tij, Mete theksoi se drafti, i hartuar edhe me ekspertizën e Bankës Botërore, jo vetëm përafron kuadrin aktual me legjislacionin dhe direktivat evropiane, por edhe synon t’i japë një ritëm të ri zhvillimi tregut të fondeve të pensioneve private.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv u shpreh se projektligji, i përafruar me Direktivën IORP II, zgjeron format e pensioneve private, si edhe politikat e investimit të shoqërive administruese, duke diversifikuar portofolin e fondeve. Gjithashtu, ndryshimet prekin aspekte të menaxhimit dhe mbikëqyrjes të shoqërive administruese të fondeve të pensionit privat, si rritja e kërkesave rregullatore për transparencë dhe informacion për anëtarët e fondit, si edhe kërkesa të shtuara për administrimin e rrezikut.

“Objektivat kryesore që synohet të arrihen janë mbrojtja e interesave të anëtarëve të fondit të pensionit privat, nëpërmjet vendosjes së standarteve më të larta për mirëinformim dhe transparencë, nxitja e pjesëmarrjes në skemë nëpërmjet përfshirjes automatike, si dhe rishikimit të politikës tatimore me synim krijimin e lehtësirave fiskale, forcimi i kuadrit mbikëqyrës e rregullator, si edhe rritja e profesionalizimit në administrimin e fondeve të pensionit privat nga ana e shoqërive administruese,” u shpreh z. Mete.

Projektligji i propozuar sjell përmirësime lidhur me procedurën e licencimit të shoqërisë administruese të fondeve të pensionit, forcimin e rregullave të qeverisjes së shoqërive administruese, forcimin e funksionit të menaxhimit të rrezikut apo menaxhimit të kontrollit të brendshëm si dhe forcimin e rregullave për transparencën dhe komunikimin me klientin në funksion të mbrojtjes së interesave të tij dhe nxitjes së besimit për pjesëmarrje në fondin privat të pensionit.

Në fund të vitit 2022, vlera neto e aseteve në fondet e pensioneve private arriti në rreth 5.7 miliardë lekë, ose rreth 50 milionë euro, me një rritje prej rreth 1.1 miliardë lekë, ose 24.3% krahasuar me fundvitin 2021. Numri i anëtarëve në fondet e pensioneve, më 31.12.2022 rezultoi 36,518 anëtarë duke shënuar një rritje prej rreth 8.8% krahasuar me 31.12.2021.

Top Channel