Denoncimi i Fiks Fare/ Dhunoi barbarisht 13-vjeçarin, elektriçisti nën hetim për keqtrajtimin e të miturit

21/02/2023 20:40

Menjëherë pas denoncimit në Fiks Fare të dhunës barbare ushtruar ndaj një të mituri, elektriçisti i fshatit Funare në Librazhd, është shoqëruar në komisariat dhe policia ka nisur hetimet ndaj tij.  

Policia e Shtetit shoqëroi në komisariat shtetasin Hysen Balliu i cili shfaqej  në videon e transmetuar në emisionin investigativ duke dhunuar të miturin. Jo vetëm aq, por në qëndrimin e tyre zyrtar thuhet se materialet janë referuar në prokurorinë e Elbasanit për veprën penale “Keqtrajtim i të miturit”.

Ndërkohë që policia zotohet se bashkë me prokurorinë do identifikojnë edhe personin që xhiroi momentet e dhunës, pasi edhe ai ka kryer vepër penale duke mos reaguar.

Por ndaj dhunës barbare kundrejt 13- vjeçarit kanë reaguar edhe institucione të tjera. Qendra Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve  e quajti rastin e transmetuar në emisionin Fiks Fare si një ndër rastet më të tmerrshme të keqtrajtimit të të miturve.

Drejtori i kësaj qendre, Altin Hazizaj tha se shteti në këtë rast ka dështuar. “Asnjë aktor i shtetit nuk ka funksionuar, rasti ishte skandaloz,  ne do ofrojmë ndihmën tonë” tha Hazizaj.

Një tjetër reagim erdhi nga Ministria e Arsimit dhe Sportit , në të cilin thuhet se është ngritur një komision urgjent për të verifikuar gjithë situatën në shkollë.

Por ky rast ka mbetur jashtë vëmendjes së Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes së Fëmijëve, i cili është institucioni shtetëror që ka një punonjës në bashki për të evidentuar rastet e dhunës apo abuzimit të të miturve.

Drejtoresha e këtij institucioni mohoj të kishin dijeni për rastin dhe nuk pranoi të jepte asnjë shpjegim edhe pse në kronikën e trasmetuar në emisionin investigativ doli që ky institucion kishte dijeni.

Denoncimet e Fiksit “zgjojnë” institucionet, mbyllet qendra nga zhdukeshin fëmijët emigrant

Rastet e fëmijëve të keqtrajtuar apo objekt trafikimi janë sjell në mendjen e shikuesit nga Fiksi herë pas here , vetëm pak ditë më parë emisioni investigativ denoncoi zhdukjen e dhjetëra fëmijëve të cilët hynin në Republikën e Shqipërisë të pashoqëruar.  Ata vinin nga vende me konflikt siç është Siria,por kishte edhe marokenë e kurdë. Mosha e tyre varionte nga 13 deri në 17 vjeç. Fiksi solli fakte tronditëse të zhdukjes së tyre , ku institucionet e quanin normale këtë gjë. Qendra që i strehohnte ishte qendra “Arsis” e financuar nga Unicef, ky i fundit i pyetur nga Fiksi për rastet e fëmijëve të zhdukur nuk dha asnjë përgjigje.

Por pas trasmetimit të kësaj kronike duket se institucionet janë zgjuar. Që nga momenti i ngritjes së alarmit se fëmijët zhdukeshin dhe shteti ynë ngrinte supet,  është vendosur që këto fëmijë të mos shkojnë më në një qendër private pritëse, por ato të strehohen në Gjirokastër në një qendër shtetërore.Burime pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes së Fëmijëve thanë për Fiksin se këta fëmijë të cilët e përdornin Shqipërinë si një vend tranzit dhe zhdukeshin nga qendra “Arsis”, tashmë strehohen në një qendër emergjente shtetërore në Gjirokastër.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA