Ministria e Energjisë ka dërguar në parlament projektligjin për nxitje ne burimeve të rinovueshme, i cili vjen si një version i përmirësuar nga ligji aktual i miratuar në 2017-ën .

Veçoria kryesore e këtij ligji është përafrimi i legjislacionit me udhëzimet e Europës, ndërsa një tjetër objektiv është ulja gazrave serë me 60%. Ndërkohë, kriza e energjisë nxori në pah faktin se vendi ka nevojë të diversifikojë energjinë.

Sipas të dhënave nga ERRE, Shqipëria 97% të energjisë e prodhon nga hidrocentralet, ndërsa 3% vjen nga centralet fotovoltaike. Deri në 2030-ën objektivi është kjo përqindje të shkojë në 30%.

Gjithashtu vetëprodhimi i energjisë është një pikë kyçe e projektligjit, ekspertët tregojnë se ka ende vend për përmirësime

“Do duhej të përfshihej një formë subvencioni për familjet që vendosin panelet fotovoltaike. Nuk është marrë parasysh rritja e fuqisë për bizneset duke u lënë në 0.5 MWh. Gjithashtu ka një paqartësi, sepse përcaktohet vendosja e paneleve në vende të përbashkëta, por të gjithë e dimë se tarracat e pallateve janë të zëna me depozita”- shprehet eksperti.

Por, projektligji pritet të sjellë një risi të shumëpritur nga bizneset dhe individët me balancimin vjetor.

“Tashmë më 1 qershor do bëhen balancat mes energjisë së marrë nga rrjeti dhe asaj të prodhuar nga panelet. Gjithashtu lehtësohen barrat burokratike për vendosjen e tyre, por sahatet dy kohorë që nevojiten për balancën do duhet të vendosen nga vetë familjet ose bizneset, gjë që është një shpenzim ekstra”-shton eksperti.

Ndërkohë me ligjin do krijohet Agjencia e Burimeve të rinovueshme pranë Ministrisë së Energjisë. Gjithashtu ka detyrime dhe për furnizuesit e karburanteve. pjesa e energjisë së rinovueshme në konsumin final të energjisë në sektorin e transportit duhet të jetë së paku 14%

Top Channel