Aktori Bruce Willis vuan nga një sëmundje e rallë e patrajtueshme

17/02/2023 10:20

Aktori Bruce Willis ka një sëmundje që prek neuronet e quajtur demencë frontotemporale dhe i shkakton të sëmurit probleme me sjelljen dhe të folurën.

67-vjeçari u diagnostikua me afazi – e cila shkakton vështirësi në të folur – në pranverën e vitit të kaluar, por kjo ka përparuar dhe atij i është dhënë një diagnozë më specifike, tha familja.

Demenca frontotemporale është forma më e zakonshme e demencës tek njerëzit nën 60 vjeç. Simptomat përfshijnë gjithashtu lëvizje të ngadalta ose të ngurtësuara, humbje të kontrollit të fshikëzës ose zorrëve, edhe pse kjo priret të ndodhë më vonë, dhe dobësi të muskujve.

“Sot nuk ka trajtime për sëmundjen, një realitet që shpresojmë se mund të ndryshojë në vitet në vijim”, thuhet në deklaratë.

Willis u bë një emër i njohur në vitet 1980 dhe 90 pasi luajti në filma të suksesshëm si Die Hard, The Sixth Sense, Armageddon dhe Pulp Fiction. Ai gjithashtu është nominuar për pesë Golden Globes – duke fituar një për Moonlighting – dhe gjithashtu tre Emmy, ku fitoi dy.

Por familja e tij tha vitin e kaluar se Willis do të hiqte dorë nga aktrimi, pasi afazia e tij po ndikonte në aftësitë e tij njohëse.

Deklarata u nënshkrua nga anëtarët e familjes së Willis, duke përfshirë gruan e tij Emma Heming, me të cilën ai ka dy vajza, dhe ish-gruan e tij Demi Moore dhe tre vajzat e tyre.

Të njohur dhe miq të tij i shprehën fjalë të mira dhe i dhanë kurajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA