Pas rimëkëmbjes së fortë që ekonomia shqiptare pati pas pandemisë, duket se vrulli ka stopuar. Institucionet ndërkombëtare po rishikojnë me ulje ekonominë e vendit, ndërsa këtyre u bashkohet edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Sipas institucionit financiar vendi ynë këtë vit do rritet me 2.5% ose 0.5% më ulët se parashikimi fillestar.

Në rajon pritet që rritjen më të lartë ta ketë Mali i Zi me 3.3%, ndjekur nga Kosova me 3%, ndërsa Serbia, Bosnjë Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut me 2%.

Faktor kryesor sipas BERZH që rritja ekonomike do të ngadalësohet është inflacioni i lartë dhe kushtet e shtrënguara të financimit.

Për vitin aktual BERZH pret rritje me 3.7%, më lart se parashikimet fillestare të institucioneve, për shkak të flukseve rekord të turistëve që erdhën në vend, duke e renditur Shqipërinë të tretën në rajon. Gjithashtu konsumi i qytetarëve qëndroi në nivele të larta, ndërsa investimet publike patën rënie të ndjeshme për shkak të krizës energjitike, që i kushtoi vendit rreth 400 milionë euro.

Ndërkohë në vitin 2024 Shqipëria pritet të përshpejtojë zgjerimin me 3.3%. Deri më tani nga institucionet ndërkombëtare, Banka Botërore është ajo që ka dhënë parashikimin më të zymtë për ekonominë tonë, një rritje me vetëm 2.2%, më e ulëta në rajon. Në këtë periudhë krize Banka Botërore ka bërë thirrje që të ndihmohet konsumi i qytetarëve të mbrohen shtresat në nevojë dhe të ulët niveli i borxhit publik.

Top Channel