Plani franko-gjerman parashikon njohjen de facto të Kosovës nga Serbia.
Ajo de jure do të vijë ndërkohë, ky ishte sqarimi që bëri kryeministri Albin Kurti në parlament pas rrebeshit të pyetjeve të deputetëve që kërkonin shpjegime në lidhje me hapat e Prishtinës zyrtare drejt pranimit të një propozimi, i cili ende nuk është bërë publik, por është zbardhur vetëm pjesërisht nga media të caktuara.
“Ky propozim parasheh normalizim të marrëdhënieve ndërkombëtare ku Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë njohin njëra tjetrën në formën de fakto. Një gjë e tillë duket e qartë në tekstin e marrëveshjes por një gjë e tillë është premtuar edhe nga shtetet e emisarëve që e kanë propozuar marrëveshjen si dhe vet Bashkimi Europian”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, marrëveshja i vendos praktikisht Kosovën dhe Serbinë si dy entitete të barabarta.
“Serbia nuk do të mund ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Njohje de jure e Serbisë nuk është në mënyrë eksplicite e shkruar në marrëveshje, por është pjesë sekuenciale e planit që do të arrihet në ndërkohë”, shtoi ai.
Kryeministri shpjegoi se Serbisë i është treguar këtë radhë qartazi se pa njohjen e Kosovës nuk do të anëtarësohet dot në Bashkimin Europian, gjë që siç theksoi ai, nuk ka qenë kusht i shkruar më parë.
Top Channel