Arjan Bekaj 13 vjet më parë braktisi profesionin e agronomit dhe iu kushtua punës me kallam dhe zhukë.

Lëndë të parë ka vegjetacionin masiv të kanaleve të Myzeqesë. Aktivitetin e nisi me katër vetë e sot punëson 100 familje. Prodhimi shkon i gjithë për eksport.

“2011 kemi filluar eksportin vetë të këtyre prodhimeve. Në Itali kemi dhjetë tregje duke filluar që nga Torino në veri dhe mbarojm në Siçili, Sardenjë, Napoli. Këtu është 100% eksport”, tha biznesmeni Arjan Bekaj.

Gjithçka ia merr natyrës: kallamin që mbush kanalet, ndërsa zhukën ose xunkthin e gjen në bregdetin e Fierit. Me kallama thur gardhe, aq shumë të kërkuara për turizmin në vendet evropiane. Ndërsa zhukës nuk i kryen asnjë proces me përjashtim te tharjes e më pas e dërgon në tregjet e Italisë për t’u përdorur si grila natyrore.

“Ata nuk i përdorin vetëm për plazhe, por përdoren dhe për kasolle, në toka, liqene, që i kanë prona të tyre private. Kërkesat janë jashtëzakonisht të mëdha. Nuk kemi stopuar asnjë ditë të vitit”, shtoi Bekaj.

Arjani thotë se prerja e kallamave dhe kashtës nuk sjell vetëm përfitim ekonomik por ndihmon edhe në pastrimin e tokave dhe kanaleve pa u vënë flakën. Me përpunimin e kallamave ka ngritur një cikël të mbyllur “asgjë nuk hidhet nga mbetjet, por përdoret”.

Profesioni si agronom e ka ndihmuar t’i gjej zgjidhjen e mbeturinave nga pastrimi i kallamave: i djeg dhe me hirin e tyre krijon një pleh organik aq i dobishëm për serat.

Top Channel