Prokuroria e Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë dhe pala mbrojtëse kanë propozuar që gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së të nisë më 3 prill.

Në seancën përgatitore që është zhvilluar sot, Prokuroria argumentoi se i duhen rreth 600 orë për paraqitjen e të gjitha provave, deri nga fundi i vitit 2024 apo fillimi vitit 2025, që të ketë proces të drejtë gjyqësor.

Mbrojtja, në anën tjetër, ka kërkuar që procesi të mos zgjasë pafund dhe i ka kërkuar gjykatës që të shkurtojë kohën e paraqitjes së provave nga Prokuroria.

Sipas mbrojtjes, Prokuroria ka “mungesë të qartë fokusi” në mënyrën si është paraqitur rasti.

“Të gjithë vijmë të pika që në fund do të kemi një material shumë të gjerë, që askush nuk e di sa i rëndësishëm është. Avantazhi i Prokurorisë është që në këtë mënyrë e shtyn çështjen, duke futur sa më shumë materiale në proces”, ka thënë avokati mbrojtës i Veselit, Ben Emmerson.

Prokuroria e Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, ka bërë të ditur se deri më tani ka siguruar mbi 300 dëshmitarë në rastin kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi. Sipas Prokurorisë, në procesin e gjykimit do të përmenden mbi 40 vende ku pretendohet të jenë kryer krimet.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, pasi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA