“Shërbimet Financiare”, KE vlerëson AMF për përafrimin me direktivat evropiane në sektorin financiar

14/02/2023 12:32

Komisioni Europian ka vlerësuar Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare për përafrimin me direktivat evropiane në sektorin financiar.

AMF kryesoi delegacioni shqiptar që mori pjesë në datat 13-14 shkurt në Takimeve Bilaterale Shqipëri- BE për ‘Shërbimet Financiare”, ku prezantuan nivelin e përafrimit me direktivat evropiane të fushës dhe adresuan pyetjet e ngritura nga ekspertët e Komisionit Evropian.

Ekspertët e Komisionit Evropian theksuan se Shqipëria ka bërë proges të konsiderueshëm për sa i përket plotësimit të rekomandimeve dhe përafrimit ligjor e rregullator.

Ata nënvizuan se kjo ka rëndësi të posaçme për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe shprehën mbështetje në procesin e reformave dhe të përafrimit të acquis në fushën e shërbimeve financiare, sipas një njoftimi zyrtar të AMF.

Kjo përfshin shërbimet financiare në fushën bankare, atë të sigurimeve, pensioneve vullnetare, shërbimeve të investimeve dhe tregjeve të titujve, por mbetet ende punë për t’u bërë.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së Evin Mete, u ndal te zhvillimet kryesore të sektorit financiar në Shqipëri, duke theksuar se sektori u paraqit rezistent ndaj efekteve të tërmetit, pandemisë dhe presioneve të fundit inflacioniste.

Mete u shpreh se autoritetet ndërmorën një sërë ndryshimesh ligjore e rregullatore pas krizës financiare botërore të vitit 2008, të cilat rezultuan efikase. Gjithashtu, ai përmendi hapat e ndërmarrë nga rregullatorët financiarë në kuadër të përafrimit të mëtejshëm me direktivat evropiane të fushës.

Përgjatë viteve të fundit është realizuar një avancim domethënës ligjor e rregullator sa i përket shërbimeve finaniciare, duke u përafruar me Direktivat evropiane të fushës. Në vitin 2020 u miratuan ligjet e reja për tregjet e kapitalit, sipërmarrjet e investimeve kolektive, si edhe për tregjet financiare të bazuar në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë. Ndërsa në vitin 2021 u miratua ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit.

Projektligji i ri për fondet e pensioneve private është në pritje të miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë.

Top Channel