Në shkurtin e acartë të 25 viteve më parë do të vendosej si datë zyrtare e lindjes së një radioje të re Shqiptare, data 14, e cila simbolikisht njihet edhe si dita e të dashuruarve.

E në fakt shpejt, dëgjuesit do të binin në dashuri me atë radio e cila kishte një emër pompoz, një emër i cili në mënyrë të pacipë përshkruante jo aq atë që ishte në fillim por atë që krijuesi i saj, Z. Dritan Hoxha, kishte ëndërr të bëhej,  radio më e mirë Shqiptare e të gjitha kohërave, njëkohësisht më e dëgjuara.

Top Albania Radio, kështu quhej radio e Tanit dhe e një dore profesionistësh dhe vajzash e djemsh të rinj të cilët pavarësisht se me trup jetonin në Tiranën që i ngjante Kandaharit në fund vitet ‘90, në mendje kishin Hollywood-in.

 Në 2 vitet e fundit Top Albania Radio numëron dhjetëra mijëra dëgjues në minutë në sinjalin e saj analog, digjital dhe online. Ka një APP në të cilin mund të dëgjohen mbi 35 podcaste ditore dhe javore, podcaste të cilat gjehen edhe në platformat më të mëdha globale si Spotify apo AppleMusic. Ka një kanal-televiziv YouTube i cili performon më mirë se të gjithë televizionet jo-kombëtare Shqiptare & Kosovare. Ka një revistë-online, një nga faqet më të vizituara shqiptare online të dy viteve të fundit për t’u informuar dhe argëtuar. Ka prodhimet e saj radiofonike & televizive.

Top Albania Radio është tashmë një platformë e cila mund të krahasohet me radiot më të mira, prej së cilave dikur frymëzohej.

Në 25 vite, Top Radio ka rritur, frymëzuar, shoqëruar duke u kthyer shpesh në një mik(eshë) të mirë pa pretendime disa breza.  Mosha mesatare e atyre që bëjnë Top Albania Radion sot vazhdon të jetë ajo e kohës së vizionarit që pati idenë brilante për ta krijuar. Energjia e të gjithë atyre që kontribuojnë në TAR çdo ditë, orë e minutë, është detaji që e dallon atë nga të tjerat.

E me sloganin e “25 viteve kujtime” pa kurrfarë nostalgjie për të shkuarën, por me shijen e mirë të saj, Top Albania Radio rend drejt 25 viteve të ardhshëm, sido qofshin ata, të lehtë apo të mundimshëm, të artë apo të zymtë, pa ju trembur asgjëje, sepse diçka e krijuar me dashuri, që mbahet gjallë nga dashuria, frymon prej saj çdo ditë, është e sigurt në triumfin e pashmangshëm e të përjetshëm.

Gëzuar ditëlindjen, Top Albania!

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA