Mes përplasjesh e debatesh të shumta, është zhvilluar në mënyrë të cunguar seanca parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë ditën e sotme.

Për rreth dy orë kanë vijuar përplasjet në Kuvend, paralelisht me protestën që po zhvillohej jashtë, të dyja me të njëjtin qëllim, çështjen McGonigal.

Vetëm pesë minuta pas nisjes së seancës, në Parlament u ndërpre energjia elektrike dhe kjo si pasojë e djegies së një pajisje e cila furnizonte me energji sallën e seancave.

Por problemet brenda në Kuvend nuk morën fund me kaq. Menjëherë pas rinisjes së seancës, teksa deputetë të ndryshëm morën fjalën, nuk mungoi ndërhyrja e Berishës, i cili disa herë detyroi drejtuesen e Seancës Lindita Nikollën të ndërpresë vijueshmërinë e seancës.

Berisha nuk ishte i vetmi i cili u bë pengesë për mbarëvajtjen e seancës së sotme plenare, ku edhe deputeti Flamur Noka nuk ka lejuar asnjë deputet të Partisë Socialiste të mbaje fjalën, pasi i binte bilbilit në mënyrë të pandërprerë, në mënyrë që të mos lejonte deputetët të mbanin fjalën.

Gjatë seancës kryeopozitari Berisha deklaroi se zotëronte një video erotike të rëndësishme, të cilën nuk do e bëje publike pasi sipas tij ky është një skenar i Ramës për të larguar vëmendjen nga çështje e “McGonigal” ku ai është i përfshirë.

Pas disa ndërprerjeve në Parlament, kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, ka kërkuar që seanca të ndërpritet për sot dhe me këtë ide ranë dakord shumica e deputetëve, duke vendosur kështu ndërprerje të seancës.

Pasi Kuvendi u mbyll, Berisha u kthye në protestë mes demokratëve, ku deklaroi se bashkimi dhe prania e tyre detyroi qeverinë të largohej nga parlamenti dhe  i konfirmoi atyre se së shpejti do të ketë sërish protestë, derisa çështja e “McGonigal” të  trajtohet dhe Rama të marrë ndëshkimin që meriton

FOTO GALERI
5/35

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA