Arrestohen tre mashtruesit në Tiranë/ Prezantoheshin si zyrtarë institucionesh për të përfituar para nga bizneset, kapen me rreth 90 mijë euro

13/02/2023 09:32

Rreth 90 mijë euro janë sekuestruar nga komisariati numër 3 i policisë në banesat e 3 të rinjve të cilët u vunë në pranga me akuzën e mashtrimit.  Në pranga ranë Ergys Ahmetaj 21 vjeç, dhe dy 19-vjeçarët Gëzim Kusi dhe Andi Basha.

Tre të rinjtë të cilët mashtronin duke bashkëpunuar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal fillimisht piketonin biznese dhe shkonin prezantoheshin si punonjës të tatimeve. Më pas me telefon kontaktonin pronarin e biznesit duke i kërkuar shuma të konsiderueshme parash. Rasti më i fundit ishte në një biznes në qendër të Tiranës, të cilit i kishin kërkuar 40 mijë euro.

Pronari I këtij biznesi njoftoi policinë e cila bashkëpunoi duke i futur në kurth të rinjtë mashtrues të cilët shkuan në biznes për të marrë paratë por ranë prangat e policisë. Policia po thellon hetimet për të identifikuar dhe biznese të tjera që kanë rënë pre e këtij grupi mashtruesish.

Më herët, policia e Tiranës ka analizuar dy operacione të ngjashme. Në janar të këtij viti policia sekuestroi 142 mijë euro të cilat dyshohet se ishin përfituar në këtë formë duke kontaktuar biznesmenë në rrjetin social sinjal dhe duke kërkuar para në emër të zyrtarëve të lartë.  Në prangat e policisë ranë 3 persona. Dy nga Vlora dhe një nga Tirana. Ndërsa më 7 janar u sekuestruan rreth 130 mijë eurosh si dhe u vunë në pranga 2 persona nga Shkodra.

Top Channel