Tjetër tragjedi në Egje/ Humbin jetën pesë emigrantë, mes tyre katër fëmijë

06/02/2023 11:10
Foto ilustruese

Një tragjedi e re detare me emigrantë është regjistruar përsëri në Greqi, kësaj here pranë brigjeve të ishullit Lero në Egjeun juglindor.

Pesë emigrantë, midis tyre katër fëmijë kanë humbur jetën pasi barka me të cilën vinin nga brigjet turke është copëtuar në shkëmbinj dhe është shkatërruar. Në një operacion të Rojës bregdetare greke  janë shpëtuar të paktën 41 persona që janë nxjerrë nga deti, ndërsa është gjetur edhe trupi  pa jetë i një gruaje.

Nga tetë persona që janë çuar në spital në gjendje kritike ,katër fëmijë të vegjël kanë vdekur ,kanë deklaruar më pas autoritetet greke. Ministri i Marinës detare dhe Politikës Ishullore ka akuzuar përsëri trafikantët e qenieve njerëzore që veprojnë në Turqi.

Yannis Plakiotakis Ministri i Marinës detare dhe Politikës Ishullore: Oficerët e Rojës Bregdetare Greke, dëshmuan edhe një herë se shqetësimi i tyre parësor është mbrojtja e jetës njerëzore, duke shpëtuar në kushte veçanërisht të pafavorshme moti, 41 persona, të cilët rrjetet kriminale të trafikantëve i nisin nga Turqia, me tolerancën e autoriteteve turke, duke i lënë në mëshirën e fatit në zonën detare pranë ishullit Leros.

Vetëm gjatë viti të kaluar të paktën 326 emigrantë kanë humbur jetën në detin Egje në përpjekje për të mbërritur nga brigjet turke drejt atyre greke , me synim Europën Qendrore.

Së bashku me Spanjën dhe Italinë, Greqia është një nga pikat kyçe të hyrjes në Bashkimin Evropian për refugjatët dhe emigrantët nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia.

Top Channel