Presioni për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe po shtohet çdo ditë e më shumë nga ndërkombëtarët, ndërsa ekzekutivi i Kosovës së fundmi ka dalë me gjashtë kushte për formimin e tij.

Deputetët e partive opozitare adresuan kritika ndaj Qeverisë së Kosovës. Sipas tyre, fakti që qeveria nuk ishte e ftuar në lutjet e mëngjesit në SHBA, lënë të nënkuptohet se mund të ketë dëmtim të raportit me SHBA-në.

“Në këtë rast Asociacioni është çështje që duhet ta marrë përgjegjësi Qeveria e Kosovës. Ne e dimë që Qeveria duhet ta nxjerrë një statut në mbledhjet e saj për Asociacionin, i cili duhet të jetë në harmonizim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës…Qeveria duhet të ketë alternativa, duhet të ruajë partneritet me miqtë ndërkombëtarë, me SHBA-të dhe me BE-në. Duhet të jetë e sinqertë dhe transparente për qytetarët e Kosovës dhe jo të krijojë këso situata dhe në fund të veprojë ndryshe. Mendoj se nuk është e sinqertë sa i përket Asociacionit, qëndrimi i Kurtit”, tha deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të dalë përballë këtyre proceseve të vendit tonë. Çdo proces që ka të bëjë me shtetin e Kosovës, kryeministri duhet të dalë me një përgjigje se çfarë do të veprojë me çështjen e Asociacionit. Pra, puna i mbetet kryeministrit, pasi ka 51%…Po ashtu, kryeministri duhet të ketë kujdes në raport me SHBA-të, sepse falë tyre ne jemi këtu. Ne si LDK e kemi përkrahur kryeministrin në proceset integruese, por gjithmonë ato procese kur kanë qenë në dakrodim me SHBA-të dhe BE-në”, tha Krasniqi.

“Përgjegjësia ose pushteti nuk është vetëm luksi që po e shfrytëzojnë shumë mirë LVV edhe për nepotizëm, për rehabilitim dhe punësim të njerëzve partiak, tash aferat korruptive nëpër borde, pra këta duhet me u përball me pasojat e veprimeve të tyre dhe duhet të qëndrojnë në ato pozicione të punojnë për Kosovën…Vet fakti që jashtë shtetit, tash në Lutjet e Mëngjesit kanë udhëtuar të gjithë liderët e partive politike por edhe deputetë të partive politike dhe mos ftesa për Qeverinë lë për të dëshiruar për këto raporte (me SHBA)”, tha Time Kadrijaj, deputete Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërsa, nga pozita thanë se nuk ka arsye pse të formohet apo të propozohet plan i ri për Asociacionin. Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherazi anëtare e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Fitore Pacolli-Dalipi tha për KosovaPress se Kushtetuta dhe Plani i Ahtisaarit, janë bazë e mirë për të drejtat e njeriut dhe ofrojnë të drejta të ekzagjeruara për minoritetet.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës e njeh Kosovën si shtet multietnik dhe nuk lejon formimin e asociacioneve të tilla njëetnike. Andaj, ne mendojmë se Kushtetuta, Plani i Ahtisarit, janë bazë e mirë për të drejtat e njeriut, ofrojnë të drejta të ekzagjeruara për të drejtat e minoriteteve, kështu nuk ka arsyeje pse të formohet apo të propozohet plan i ri për Asociacionin.”, tha Pacolli-Dalipi.

Ndryshe nga sa mendon opozita, sipas saj, çështja e Asociacionit nuk mund të ndikojë për të keq në raportet me Shtetet e Bashkuara. pak ditë më parë, kryeministri Kurti paraqiti në Kuvend 6 kushtet e tij për formimin e Asociacionit, që nga opozita u mor si pranim i këtij mekanizmi.

Top Channel