Intensifikohet lufta në lindje të Ukrainës, Ministri i Mbrojtjes: Armët e aleatëve nuk do përdoren për të goditur territorin rus

05/02/2023 20:19

Lufta po intensifikohet në lindje të Ukrainës.

Përditësimet e fundit nga presidenti Zelensky dhe ministri i mbrojtjes ukrainase, Oleksiy Reznikov tregojnë se forcat ruse po bëjnë betejë të ashpër në tre qytete shumë të kontestuara në Donetsk, Bakhmut, Vuhledar dhe Lyman.

Në një konferencë shtypi, Oleksiy Reznikov tha se rusët do të fillojnë një ofensive të re brenda këtij muaji. Zyrtari u shpreh se jo të gjitha armatimet perëndimore do të kenë mbërritur deri atëherë, por Ukraina kishte rezerva për të përballuar forcat ruse.

Ai u shpreh se armët e aleatëve perëndimorë nuk do të përdoren për të goditur territorin rus.

“Të premten partnerët tanë vendosën të na ofrojnë armë të afta për të qëlluar në një distancë prej 150 kilometrash. Ne gjithmonë u themi partnerëve tanë se marrim përgjegjësinë të mos përdorim armët e partnerëve të huaj kundër territorit të Rusisë, vetëm kundër njësive të tyre në territoret e okupuara përkohësisht të Ukrainës me qëllim të de-okupimit të tokës sonë”.

Shtetet e Bashkuara njoftuan të premten një paketë të re armësh dhe municionesh prej 2.2 miliardë dollarësh për Ukrainën, për të cilën Pentagoni tha se përfshinte një bombë të re precize me raketa që mund të dyfishonte rrezen e sulmit të Kievit kundër forcave ruse.

Ato potencialisht u japin forcave të Kievit aftësinë për të goditur kudo në rajonet Donbas, Zaporizhzhia dhe Kherson të pushtuara nga Rusia, si dhe në pjesën veriore të Krimesë së pushtuar. Franca dhe Italia nga ana e tyre pritet të ofrojnë sisteme të lëvizshme raketore tokë-ajër. Forcat ukrainase gjithashtu do fillojnë të stërviten me tanket Leopard nga e hëna.

Por, ministri i Mbrojtjes u shpreh se ngurrimi i aleatëve për të dërguar avionë në Ukrainën do t’i kushtonte “më shumë jetë”

Jam i sigurt se do ta fitojmë këtë luftë, jam i sigurt se do të çlirojmë të gjitha territoret e pushtuar. Por pa dorëzimin e avionëve perëndimor, do të na kushtojë më shumë jetë”.

Ofensiva e ardhshme është e rëndësishme për Rusinë në arritjen e qëllimit të saj për të kontrolluar të gjithë rajonin e Donbasit në lindje të vendit. Kjo do të nënkuptonte gjithashtu një kthesë në fatin e Rusisë pasi humbi terren në Ukrainë gjatë muajve të fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA