I ftohti pritet të vijë në vendin tonë nga dita e diel dhe të zgjasë deri të mërkurën e javës tjetër.
Lajda Porja nga MeteoAlb thotë se do të kemi temperatura të ulëta deri në -10 gradë Celsius në zona të izoluara, kryesisht në Bulqizë apo në në zona dhe fshatra të Korçës. Edhe Dibra do të jetë shumë e ftohtë.
Në ultësirën perëndimore, temperaturat do të mbeten në vlera pozitive, 2-3 gradë. Tirana mund të shënojë deri në minus 1 gradë Celsius.
Për sa i përket reshjeve, gjatë natës do të kemi zhvillim të vranësirave duke sjellë reshje shiu në Ultësirën Perëndimore, reshje dëbore në të gjithë lindjen e Shqipërisë. E shtuna parashikohet e paqëndrueshme, ndërkohë që nga e diela dhe gjatë gjithë javës do të kemi kryesisht përmirësim të situatës për reshjet dhe do të jetë shumë e ftohtë.
Por, a do të ketë reshje dëbore në kryeqytet?
Rrezikohet shumë pak ditën e mërkurë, ku do të ketë një sistem vranësirash dhe reshjesh pikërisht në zonat jugore ku do të ketë reshje dëbore zona malore jugore, shpjegon Porja. Në zonat qendrore dhe kryesisht kryeqyteti do të kenë reshje bore mali i Dajtit dhe disa rrethina si Surreli, Shën Gjergji etj, por jo në kryeqytet sepse është një sistem në largim.
Top Channel