Një mjek dhe një teknik imazherie në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë vënë në pranga me akuzën e korrupsionit.
Nazmi Metaliu dhe Astrit Mansaku dyshohet se kryenin skanera kundrejt shpërblim në qendrën spitalore universitare. Këto raste janë dokumentuar në dosjen që prej tre javësh hetohej nga Bledar Valikaj, sipas burimeve të sigurta për gazetaren Anila Hoxha.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, si rezultat i një hetimi disamujor, të ndjekur me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me qëllim konstatimin e rasteve të korrupsionit dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të tyre, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Skaneri”.
Si rezultat i këtij operacioni, u vunë në pranga shtetasit:
– N. M., 63 vjeç, banues në Tiranë, me profesion mjek;
– A. M., 51 vjeç, banues në Tiranë, me profesion teknik imazherie.
Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë ushtrimit të detyrës, iu mundësonin qytetarëve të ndryshëm, kundrejt shumave monetare, bërjen e skanerit, në kundërshtim me rregulloren e Spitalit, për kryerjen e kësaj procedure”, njofton policia.
Top Channel