Ministria britanike e Emigracionit, Home Office ka urdhëruar njësitë e azilit të punojnë kryesisht me kërkesat për azil të bëra nga shqiptarët, në përpjekje për të përshpejtuar rikthimin e shqiptarëve drejt Tiranës, duke lënë emigrantët nga kombësitë e tjera, më të shumtit në numër, të presin sa të mbarohet punë me shqiptarët, pasi ata mund të riatdhesohen në Shqipëri, pas marrëveshjes për deportimin e shqiptarëve mes dy kryeministrave fundvitin e kaluar.
Qëllimi i operacionit të koduar “Bridora’ synon sipas “The Independent” të Londrës, të deklarojë sa më shumë kërkesa të bëra nga shqiptarët për azil në Britani ‘qartazi të pabazuara’ dhe t’i largojë ata nga ishulli, pas rritjes së numrit të shqiptarëve të mbërritur me gomone.
Ka shqetësime se afganë, sirianë, iranianë etj do u shqyrtohen me vonesë kërkesat, ç’ka do të thotë që ata do të vazhdojnë të qëndrojnë më tej në Britani me një kosto shumë të lartë financiare, kur shqiptarët, sipas deklarimit më të fundit të Rishi Sunak në një intervistë televizive, shqiptarët përbejnë 30 për qind të kërkesave për azil, të cilat ai i cilësoi si “qesharake”.
Nga 140 mijë aplikime për azil që presin vendimmarrjen, rreth 16 për qind ose 22.900 janë kërkesa të bëra nga shqiptarët. Ekziston frika jo vetëm në rradhët e gjithnjë e më shumë shqiptarëve, por edhe përfaqësuesve të tyre ligjor, se këto zhvillime, do të dekurajojnë azilantët shqiptarë që të bashkëpunojnë me autoritetet e emigracionit, duke i shtyrë ata drejt kalimit në të zezë, nga frika e të qenit me kohë borxh dhe deportimit të shpejtë drejt Tiranës.
Në mënyrë paradoksale, ndërkohë që shqiptarët po përdorin gomonet për t’i ikur Shqipërisë, pasi e shikojnë Britaninë si me shpresëdhënëse sesa vendlindja e tyre, sakaq, konservatoret e kryeministrit Sunak, e shohin marrëveshjen me Shqipërinë për rikthimin e shqiptarëve të ardhur në Britani si varkën e tyre të shpëtimit, për të qëndruar më tej në pushtet.
Top Channel