Udhëheqësit e Bashkimit Europianë vizitojnë Ukrainën, premtojnë mbështetje

02/02/2023 19:02

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian mbërritën të enjten në Kiev me një mesazh mbështetjeje për popullin ukrainas, në një kohë kur presidenti i Ukrainës paralajmëroi për një ofensivë nga forcat ruse në prag të përvjetorit të parë të sulmit nga Moska.

“Ne jemi këtu së bashku për të treguar se BE-ja është më shumë se kurrë në krah të Ukrainës si dhe për të thelluar më tej mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë”, shkroi në Twitter presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Joseph Borrel tha se delegacioni po qëndron në Kiev për të përcjellë mesazhin se “Bashkimi Europian mbështet çdo ukrainas që po mbron vendin”. Ai shtoi se ”Bashkimi Europian qëndroi në krah të Ukrainës, që kur Rusia nisi luftën dhe do të vazhdojë të qëndrojë deri në fitoren dhe rindërtimin e Ukrainës”.

Udhëheqësit e Bashkimit Europian dhe Ukrainës pritet të takohen në një mbledhje të nivelit të lartë të premten për të diskutuar mbi reagimin e Bashkimit Europian ndaj konfliktit, përpjekjet për ndihma dhe rindërtimin e saj, sigurinë ushqimore në botë dhe kërkesën e Ukrainës për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenksyy tha në një fjalim të mërkurën në mbrëmje se Rusia po synon të arrijë disa fitore në terren, në prang të përvjetorit të parë të luftës në 24 shkurt.

“Ne duhet të jemi veçanërisht të bashkuar në këto rrethana, veçanërisht të përqëndruar tek interesi kombëtar dhe për pasojë, të qëndrueshëm, tha zoti Zelenskyy. “Kam besim se kështu do të jemi”.

Ai vuri në dukje atë që e cilësoi si rritje të akteve të sulmit në lindje të Ukrainës, duke shtuar se gjendja “po ashpërsohet edhe më shumë”.

Prej disa muajsh, forcat ruse janë përpjekur të marrin nën kontroll qytetin e Bakhmutit, në rajonin e Donetskut.

Në qytetin e afërt të Kramatorskut, ekipet e shpëtimit kërkuan për të mbijetuar në një godinë apartamentesh që u shkatërrua nga një raketë ruse. Sulmi vrau së paku tre persona dhe plagosi 20 të tjerë.

Ekipet e shpëtimit kërkojnë të mbijetuar në godinën e shkatërruar nga raketa ruse në Kramatorsk, në Ukrainë, 2 shkurt, 2023
Ekipet e shpëtimit kërkojnë të mbijetuar në godinën e shkatërruar nga raketa ruse në Kramatorsk, në Ukrainë, 2 shkurt, 2023
Sanksionet e Shteteve të Bashkuara

Të mërkurën, Shtetet e Bashkuara futën në listën e zezë biznesmenë të lidhur me luftën ruse në Ukrainë, një tregtar armësh, djalin e tij dhe disa kompani përfaqësuese në Azi, Europë dhe Lindjen e Mesme, pasi janë përpjekur të ndihmojnë Moskën të sigurojë armatime për luftën.

Departamenti i Thesarit vuri sanksione ndaj tregtarit rus të armëve, Igor Zimenkov, djalit të tij, Jonatan dhe kompanive të lidhura me “rrjetin Zimenkov”, në Singapor, Qipro, Bullgari, Izrael dhe vende të tjera.

“Përpjekjet e dëshpëruara të Rusisë për të përdorur kompani përfaqësuese për të shmangur sanksionet e Shteteve të Bashkuara tregojnë se sanksionet e kanë bërë më të vështirë dhe të kushtueshme furnizimin me armë të makinerisë së luftës së Putinit”, tha zëvendës Sekretari i Thesarit, duke iu referuar Presidentit rus Vladimir Putin.

Departamenti i Thesarit vuri sanksione ndaj 22 individëve dhe organizatave. Vitin e fundit, Departamenti i Thesarit ka vënë sanksione ndaj më shumë se 100 individëve dhe subjekteve pasi kanë ndërmarrë veprime për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare dhe kontrollin e eksporteve të vendosura ndaj Rusisë.

Me përfshirjen në listën e zezë atyre u bllokohet çdo llogari që kanë në Shtetet e Bashkuara dhe u ndalohet të bëjnë biznes në Shtetet e Bashkuara dhe me amerikanët.

“Vënia e sanksioneve ndaj kompanive përfaqësuese është një nga hapat që Departamenti i Thesarit dhe koalicioni i partnerëve tanë ka ndërmarrë dhe do të vazhdojë të marrë, për të forcuar saksionet kundër sistemit mbrojtës së Rusisë, përfituesve dhe mbështetësve të saj”, tha zoti Adeyemo.

Top Channel