Vjen “vala e dytë”, grevat paralizojnë Francën: Macron nuk shpëton prej nesh!

31/01/2023 14:37

Një grevë mbarëkombëtare po mbahet në Francë, si pjesë e një vale të dytë protestash kundër planeve të presidentit Emmanuel Macron për të rritur moshën e pensionit nga 62 në 64 vjeç.

Tetë sindikata të mëdha janë bërë pjesë e aksionit që paralizon sektorë të ndryshëm, duke prekur nga shkollat e transporti publik e deri tek dhe rafineritë e naftës. Në një gjimnaz të Parisit, situata degjeneroi në dhunë e përplasje mes policisë dhe demonstruesve që kishin bllokuar hyrjen e godinës.

Më shumë se një milionë vetë tërhoqi dita e parë e grevës, e tani tubimet janë shtrirë në pjesë të ndryshme të vendit. Sindikatat thonë se nëpër rrugë kanë dalë më shumë se gjysma e të gjithë mësuesve francezë. Ministria e Arsimit e ul këtë shifër në më pak se një të katërtën. Kreu i partisë se ekstremit të majtë, LFI, Jean Luc Melonchon, foli për një ditë historike, dita, kur sikurse tha ai, Emmanuel Macron me siguri do të humbasë.

“Sikurse e kemi parë dhe në të kaluarën, lëvizje të tilla janë të afta të ngrenë në këmbë të gjithë popullatën, e kështu, marrin një rëndësi politike të jashtëzakonshme. Kjo nuk është thjesht një ditë e zakonshme për të demonstruar, kjo është ajo lloj kryengritjeje popullore që tregon forcën e qytetarëve për të kërkuar të drejtën e vet të ekzistencës njerëzore dhe për të ndaluar së punuari pas një moshe të caktuar kur nuk të mban më as trupi, as mendja, as nervat”, u shpreh Jean Luc Melonchon, LFI.

Qeveria e Macron po avancon me reformën e rritjes së moshës së pensionit pavarësisht kundërshtisë në popull, e sondazheve të opinionit që tregojnë se dy të tretat e votuesve francezë janë kundër ndryshimeve, të cilat do të paraqiten në Asamblenë Kombëtare javën e ardhshme.

Top Channel