Kupa e Shqipërisë në Futsall 2023 u përmbyll të dielën me finalen e madhe mes Diamanti Futsal dhe Tirana Futsal, sfidë e luajtur në kompleksin Goga në Durrës.
Ndeshja u ndjek nga një numër i kënaqshëm spektatorësh, ndërkohë që në fushë Tirana Futsal ishte gjatë gjithë kohës superiore dhe fitoi bindshëm me rezultatin 5-0.
Protagonistët e këtij suksesi me golat e tyre ishin Kaca (tregolësh), Mërtiri dhe Xhaferraj. Ndeshja dhuroi momente mjaft të bukura duke konfirmuar edhe një herë rritjen e futsallit dhe kompeticioneve të organizuara nga FSHF.
Tirana Futsal fitoi trofeun e Kupës së Shqipërisë 2023, teksa në fund u organizua edhe ceremonia e rastit me Drejtorin e Futbollit Amator në FSHF Jurgen Demneri dhe specialistin e këtij sektori Igli Mumajesi, të cilët u dorëzuan medaljet dhe trofeun fituesve.
Në këtë edicion të Kupës së Shqipërisë Futsall morën pjesë tetë skuadra: Flamurtari Futsal, Vllaznia Futsal, Tirana Futsal, Diamanti Futsal, Eagles Land, Olimpik 1 Maji, Forcat e Armatosura dhe Olimpik Tirana.
Të njëjtat skuadra marrin pjesë edhe në Kampionatin Kombëtar të Futsallit, ndërkohë që krahasuar me sezonin e kaluar është dyfishuar numri i ekipeve që janë bërë pjesë e kësaj disipline.
Objektivi i FSHF-së është që sezonin e ardhshëm të ketë edhe më shumë ekipe në këto turne, pasi interesi ka qenë në rritje dhe ka shumë djem të apasionuar pas futbollit që duan të jenë pjesë e futsallit.
Top Channel