Balla pohon se ka takuar McGonigal: Askush nuk do i thoshte jo një takimi të tillë, mund ta kenë takuar edhe anëtarë të opozitës

30/01/2023 11:30

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla gjatë një komunikimi me gazetarët ditën e sotme, ka deklaruar se edhe ai vetë e ka takuar ish-drejtorin e kundrazbulimit të FBI-s, Charles McGonigal, që akuzohet se ka mbështetur një oligark rus të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe se ka marrë ryshfet nga një ish-agjent i shërbimit sekret shqiptar.

Balla tha se e ka takuar atë vetëm në funksion të punës dhe se nuk ka asnjë përgjegjësi në lidhje me akuzat ndaj tij. Nga nga tjetër Balla ngriti aludimet se McGonigal është takuar edhe me anëtarë të opozitës.

“Edhe unë e kam takuar ku kemi ndarë dhe diskutuar në funksion të marrëdhënieve të shkëlqyera të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Askush nuk do i thoshte jo një takimi të tillë në cilësinë e atij pozicioni zyrtar, kanë qenë takime të formës së bashkëpunimit gjatë kohës që ka qenë në detyrë, pas kësaj kohe që nuk ka qenë në detyrë nuk e kam takuar. Në këtë histori nuk mban përgjegjësi asnjë autoritet shqiptar sa kohë është në kuadrin e një takimi në funksion të punës.Ne kemi komunikuar së fundmi me FBI-në për sulmet kibernetike, imagjinoni sikur dikush të arrestohej tani nga FBI-ja? Mund të ketë takuar edhe anëtarë të opozitës nuk e di pyesni.“- tha Taulant Balla.

Më 24 janar u bë e ditur se në New York është arrestuar ish-shefi i kundërzbulimit të FBI me akuza të rënda se ka mbështetur një oligark rus të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe se ka marrë ryshfet nga një ish-agjent i shërbimit sekret shqiptar. Charles McGonigal ka punuar për sektorin e kundërzbulimit të FBI-së, derisa u largua nga FBI-ja në shtator të vitit 2018 dhe ndër të tjera mbulonte edhe Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.

Ai akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, por pa i raportuar ato sipas rregullave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA