Debatet në Komisionin e Mbrojtjes nuk kanë munguar, me opozitën që kërkon ndryshim në rendin e ditës dhe të rikthehet debati për Shërbimin Informativ.
Erald Kapri dhe Klevis Balliu iu kthyen kryetarit Bledi Çuçi, me kërkesën për ndryshimin e rendit të ditës, ndërkohë ky i fundit u shpreh se duhet vijuar me ligjin e ditës së sotme, që sipas tij është gjithashtu i rëndësishëm.
“Vetëm prokuroria nuk po lihet e qetë në të gjithë këtë hetim që ka tronditur shtetin shqiptar. Kryeministri, pasi erdhi nga vizita turistike në OKB, tha në Rinas se është cenimi i sigurisë kombëtare që kanë dalë nga dosja e SPAK-ut mesazhet e Vlora Hysenit me Ergys Agasin. Ka një shqetësim Kryeministri që mos t’i dalin gjërat e veta. Duhet të jemi seriozë, se paskan dalë dy mesazhe aty që tregojnë se si shefi i SHISH flet me kryetarin e një karteli dhe Kryeministri shqetësohet se kanë dalë mesazhet dhe jo pse ka rënë shteti, këtu kemi një shqetësim. Histori rozë është ajo? Nuk mund të na i shisni këto gjëra kështu. Ka rënë siguria kombëtare, pranojeni këtë gjë. Ka vite që thuhet për rolin e Ergys Agasit. E keni cilësuar si Narcos, si Netflix. Tani na doli që seriali është bazuar në një histori të vërtetë. Po kush mban përgjegjësi për këtë? Por le të bëjmë një kalendar në këtë komision, po të fshihen dhe me krye të mbyllura, dhe të vijnë ata përfaqësuesit e të japin llogari”, tha Kapri.
“Ne kemi dërguar mocion me debat, edhe dy shkresa që ia kemi bërë Presidentit dhe Kryeministrit në lidhje me kriteret që ka pasur Kryeministri. Cilat kritere ka pasur për propozimin e Vlora Hysenit dhe Presidenti se cilat kritere ka pasur për të aprovuar vendimin e Kryeministrit. Do ju lutesha që në këtë Komision nuk shkon të bëjmë sikur ka ndodhur një gjë që nuk e dinim. Të majtë e të djathtë këtu kemi qenë prezent kur Vlora Hyseni është pyetur a kishte apo jo lidhje me Ergys Agasin. Këtu ishte dhe Ilir Proda që është pyetur për Ergys Agasin. Këto mund t’i vijnë si surprizë një tjetri, jo neve. Kemi bërë një kërkesë ne. Janë bërë ato kërkesa në bazë të këtyre informacioneve që janë faktuar. Kur i di opozita, i ka ditur edhe drejtësia, edhe prokuroria, edhe qeveria. Kur flasim për atë përçarjen tuaj, nuk kishim merakun që të shihnim andej. Ne kemi z. Balla që tha se nuk bën komente për njerëzit që hetohen nga drejtësia, por votën për mos-arrestimin e Ballukut e jep ai.
Kam kërkuar interpelancë unë me Kryeministrin, po ku ka fytyrë ai të flasë për paratë. Ju i keni sot forcat e numrave, për aq pak kohë sa i keni, por mbase ka ardhur momenti që kësaj opozite, që i është faktuar çdo akuzë, t’i jepni pak të drejtë. Rendi i ditës sot duhet të jetë SHISH. Nëse ka një njeri që mendon se Edi Rama nuk di gjë as për Ballukun, as për Veliajn, as për Ahmetajn, as për Beqajn, pse e mbani?
Kërkesa ime kjo është. Ktheni rendin e ditës sipas interesave kombëtare, jo sipas interesit të burokracisë”, tha Balliu.
“Edhe shqetësimet e opozitës nuk ngelin thjesht një retorikë politike, por kush ka përgjegjësi e mban këtë. Ka një drejtësi të cilën e kemi ngritur me shumë sakrificë, por me bindje të thellë që do ndihmojë në ngritjen e shtetit shqiptar dhe do të shohim që këto institucione funksionojnë. Ky është një lajm i mirë për shqiptarët, që kemi një shtet funksional. Në bazë me axhendën e sotme, detyra jonë si Parlament është që së pari të bëjmë ligje dhe pres mirëkuptimin e kolegëve që ta pasurojmë ligjin dhe ta bëjmë sa më funksional. Ligji sot ka një rëndësi të veçantë, që masat që duhet të marrë një shtet për të parandaluar financimin e terrorizmit. Prandaj t’ia lëmë fjalën zv/ministrit”, u shpreh Çuçi.
Top Channel