Mike Arteta nuk e fshehu zhgënjimin e humbjes me Manchester Cityn, por në anën tjetër ai tregoi se mori mesazhet e duhura nga lojtarët e tij.
Numri një i “Topçinjve” vuri theksin se kundërshtari i ndëshkoi në të vetmin moment që skuadra e tij gaboi. Në këtë ndeshje, tekniku i “Topçinjve” kishte bërë ndryshime në formacion, duke u dhënë hapësirë lojtarëve që nuk kishin pasur shumë minuta, me Artetën që është i kënaqur nga performanca e tyre.
“Lojtarët që zbritën në fushë e kanë merituar hapësirën dhe jam i lumtur për atë që dhanë në fushën e lojës. Pavarësisht rezultatit unë i besoj shumë faktit se çdo lojtar është i rëndësishëm për ne dhe ata më treguan se meritojnë të vijoj të besoj tek ata. A jam i zhgënjyer?
Mendoj se mund të kishim marrë shumë më tepër sesa bëmë, por në anën tjetër morëm disa mësime për të ardhmen. Te rasti i golit nuk u vendosëm mirë dhe u ndëshkuam. Ishte rasti i vetëm ku gabuam dhe ata na shënuan. Nuk dua të harroj dhe tifozët, ata janë të mrekullueshëm dhe na krijuan një ndjesi fantastike, janë shumë të rëndësishëm për ne”.
Top Channel