Trafikantët fituan 183 mln stërlina/ Në kanalin e La Manshit vazhdojnë kalimet me gomone të emigrantëve

27/01/2023 19:53

Trafikantet e qenieve njerëzore që organizojnë kalimet ilegale për emigrantët me gomone në ngushticën e La Manshit, kanë arritur të fitojnë 183 milionë stërlina gjatë vitit të kaluar.

Këtë shifër e bëri të ditur Ministrja e Punëve të Brendshme të opozitës laburiste në Britani, e cila fajësoi qeverinë për këtë problem. Ndërkohë, edhe pse një mot i pavaforshëm, për shkak të temperaturave të ulta, gjatë këtij vitit sërish kanë vazhduar kalimet ilegale me gomone nga Franca drejt Anglisë.

Sipas Partisë Laburiste të opozitës britanike, e cila supozohet se do të jetë vijë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme, trafikantët e qenieve njerëzore, që në shumicë mendohen së janë kurd, në bashkëpunim edhe me grupet kriminale shqiptare si ndërmjetës, që mundësojnë dhe organizojnë kalimet me gomone, kanë arritur të fitojnë gjatë vitit të kaluar 183 milionë stërlina nga ky biznes kriminal. Sugjerohet se mesatarisht trafikantët e gomoneve kanë një çmim prej 4 mijë sterlinash për çdo kalim për person në kushtet kur 45.756 emigrantë ilegal kaluan La Manshin gjatë vitit te kaluar, ç’ka përbën një shifër rekord për Britaninë.

Opozita thotë se janë konservatorët në pushtet që gjatë tre viteve të fundit  kanë lejuar një industri të tillë kriminale të rrezikshme të lulëzojë përgjatë kufijve të ishullit. Laburistët thonë se kur të vijne në pushtet, ata do të krijojnë një “qelize të re elitare” në radhët e Agjencisë së Luftës Kundër krimit, e njohur ndryshe si FBI britanike. Kjo njësi me një staf prej 100 vetësh do të ketë objektiv grupet kriminale të trafikimit të qenieve njerëzore në bashkëpunim me autoritetet franceze, gjermane dhe belge.

Ndërkohë, sipas medias britanike vetëm para dy ditësh 450 vetë janë interceptuar në nëntë gomone në La Mansh pas një përmirësimi te shkurtër te motit, ndërkohë ka pasur tentativa te tjera drejt Anglisë, por pa mundur të mbërrijnë në ishull. Pranvera dhe vera do të jenë momenti kur do të shihet efikasiteti konkret i bashkëpunimit mes Anglisë dhe Francës për çështjet e kalimeve ilegale, pas marrëveshjes së bujshme mes dy vendeve fundvitin e kaluar.

Top Channel