Tani që rreziku kaloi, ekspertët kanë marrë frymë lirisht: Një asteroid gati sa nuk preku Tokës gjatë kalimit të tij aq pranë planetit tonë, sa siç thotë BBC, ishte edhe më afër se disa satelitë.

Me madhësinë e një mikrobuzi, shkëmbi hapësinor, i njohur si 2023 BU, iu afrua skajit më jugor të Amerikës së Jugut pak pas mesnate. Distanca ishte vetëm 3,600 km, e kjo cilësohet një afërsi shqetësuese, ndërsa e gjithë ngjarja në vetvete tregon fare qartë se ka ende asteroidë me përmasa të konsiderueshme që ndodhen pranë Tokës dhe mbeten ende t’u zbuluar.

2023 BU u diktua vetëm fundjavën e kaluar nga astronomi amator Gennadiy Borisov, i cili operon nga Nauchnyi në Krime, gadishulli ukrainas i aneksuar nga Rusia në 2014-tën.

Vëzhgimet e mëpasshme hodhën më shumë dritë mbi përmasat, e çka është më e rëndësishmja, mbi orbitën e tij. Falë kësaj, astronomët arritën të krijonin sigurinë se trupi qiellor nuk do ta godiste planetin, edhe pse hyri brenda harkut të satelitëve te telekomunikacionit në botë, të cilët ndodhen 36,000 km mbi ne.

Fatmirësisht, përmasat e tij ishin të tilla që edhe në një kurs përplasjeje të drejtpërdrejtë, asteroidi nuk do të bënte dot shumë dëme. Shkëmbi kozmik me një madhësi 8,5 metra i gjatë e 3,5 i gjerë ndoshta do të ishte shpërbërë që në atmosferë, por ai do të kishte prodhuar për çdo rast një lëmsh zjarri spektakolar.

Top Channel