Vetëm 15 minuta zgjati në gjykatën e Washingtonit seanca e ish-zyrtaritë të FBI-së, Charles McGonigal, i cili u deklarua i pafajshëm për akuzat se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për mos-raportimin e kontakteve dhe lidhjeve dhe zyrtarë të shteteve të tjera.

Siç vihet në dukje në akt-padi ai ka patur kontakte të shumta mes të tjerash me biznesmenë, ish-zyrtarë dhe zyrtarë shqiptarë. McGonigal mori pjesë virtualisht në këtë seancë, në fundin e së cilës, u ra dakord që ai të gjykohej në gjendje të lirë dhe që seanca e ardhshme të mbahet në një moment të dytë. Fokusi këtë hera, ishte më së shumti tek detajet teknike të procesit.

McGonigal nuk i pranoi akuzat e tjera të ngritura ndaj tij në Nju Jork, se ka shkelur sanksionet amerikane ndaj Rusisë duke punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska. Gjykata vendosi që ta lërë të lirë kundrejt pagesës, gjatë kohës që do të zhvillohet procesi gjyqësor. Sipas akt-akuzës, ish zyrtari i FBI-së rezulton të ketë marrë një shumë prej 225 mijë dollarësh nga shqiptaro-amerikani Agron Neza.

Kishte qenë vetë McGonigal që në gusht dhe më pas në shtator të vitit 2017 i kishte kërkuar Nezës nëse mund t’i siguronte një sasi parash, të cilat ky i fundit ia dha përgjatë vjeshtës së atij viti në tre episode të ndryshme. Sipas aktpadisë ndërkohë, është edhe një person tjetër që duhet marrë në pyetje për këtë rast, e ai është Dorian Duçka, ish zv/ministër për energjitikën dhe më pas konsulent i pavarur.

Top Channel