Shtëpia e barit dhe arsenali i armëve në Shijak/ Detaje të reja, dyshohet se janë grup i strukturuar kriminal

25/01/2023 13:42

Janë zbuluar detaje të reja nga shtëpia e barit dhe arsenalit të armëve në Shijak.

Nën hetim dhe dy punonjës të OSHEE-së, ndërsa po mbahen nën vëzhgim edhe disa persona të tjerë që dyshohet të jenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Përveç dy vëllezërve Fredi dhe Selman Krasniqi, po hetohen në gjendje të lirë dhe dy punonjës të OSHEE-së së Shijakut, si dhe po mbahen nën vëzhgim disa persona të tjerë me të cilët kishte lidhje dhe komunikim i arrestuari i vetëm i policisë, 46-vjeçari Fredi Krasniqi.

Ndërsa vijon të jetë në kërkim i vëllai Selman Krasniqi që rezulton të jetë në Itali, nën hetim janë vënë përkatësisht elektricisti Hamdi H. 55 vjeç dhe faturisti i zonës së Xhafzotajt Roland V. 32 vjeç.

Ata  akuzohen për shpërdorim detyre, pasi gjatë kontrollit në zonë është konstatuar dhe një lidhje e paligjshme jashtë matësit të energjisë në godinën katërkatëshe të vëllezërve Krasniqi, fakt ky i pakonstatuar dhe i paraportuar nga ana e dy punonjësve të OSHEE-së.

Ndërkohë vëllezërit, njëri prej të cilëve i arrestuar dhe tjetri në kërkim akuzohen për veprat penale të kultivimit të bimëve narkotike, mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve dhe municioneve, prodhimit dhe mbajtjes a blerjes së armëve të ftohta dhe vjedhjes së energjisë elektrike.

Përveç këtyre 4 akuzave, ndaj të arrestuarit Fredi Krasniqi rëndon edhe një tjetër akuzë, ajo e organizimit të lotarive të palejuara. Në dy telefonat e tij celular, që iu sekuestruan gjatë operacionit policor, u zbulua se ai ushtronte gjithashtu dhe aktivitetin e paligjshëm të lotove sportive.

Në telefonat e sekuestruar po këqyrën dhe komunikimet e tij, për të shkuar drejt zbulimit të persona të tjerë të përfshirë në këto vepra penale. Gjatë marrjes në pyetje Krasniqi nuk ka pranuar të rrëfehet apo të nxjerrë emra të tjerë, duke marrë përsipër të gjitha akuzat e ngritura.

Por arsenali i armëve të gjetura brenda banesës është i konsiderueshëm dhe i larmishëm, duke shtuar dyshimet se vëllezërit janë pjesë e një grupi kriminal.

 

Përvecc armëve automatike, pushkës, granatave dhe ndezëzve të ccmontuar, janë gjetur dhe 680 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një hark luftarak me 10 shigjeta, një thikë ushtarake, një jelek antiplumb dhe një palë dylbi. Gjithashtu u sekuestrua edhe një automjet tip JAGUAR. Pas operacionit, armët janë dërguar në laboratorin e policisë shkencore në Tiranë për të verifikuar nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale dhe shpresat e hetuesve janë fokusuar tek përgjigjet e ekspertizës.

Arsenali dhe shtëpia e barit e ngritur në dy katet e sipërme të godinës 4-katëshe të vëllezërve Krasniqi, lindur e banues në Shijak, me origjinë të largët nga Kosova, u zbuluan pas një informacioni të marrë në rrugë operative dhe i vlerësuar nga ana e inteligjencës policore, që pak muaj më parë i vuri në vëzhgim vëllezërit dhe shtëpinë e tyre në Xhafzotaj pranë 4 Rrugëve të Shijakut.

Top Channel