Inside Story/ Kriza nuk ndali pasuritë e paluajtshme, ndërtimi dhe imobiliaret kontribuesit më të mëdhenj të ekonomisë

25/01/2023 21:59

Aktiviteti i Ndërtimit pati një rritje me 10,66 % në tremujorin e tretë të vitit 2022 krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.

Për të njëjtën periudhë edhe Pasuritë e Paluajtshme patën një rritje me 13,84% . Çuditërisht, sektori i ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme kanë mbetur stoikë përballë krizave që ka në prodhuar tërmeti, pandemia dhe lufta në Ukrainë.

Pasoja që ndihet sot është rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme. Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, Indeksi Fischer i çmimit të banesave u rrit në rang vendi në gjashtë mujorin e parë të 2022 me 28.4% ndaj gjashtëmujorit të mëparshëm dhe me 39.2% në terma vjetorë. Indeksi i Çmimit për Tiranën u rrit me 28.5% ndaj periudhës paraardhëse dhe me 39.5% ndaj një viti më parë. Për Tiranën, çmimet mesatare janë rritur kryesisht në zonat qendrore dhe periferike, në të cilat është raportuar edhe numri më i lartë i shitjeve gjatë periudhës.

Në Tiranë çmimet mesatare përllogariten në 1,143 Euro/m2, me një rritje prej 3.2% në krahasim me 2021.
Në zonën brenda unazës çmimet kanë arritur mesatarisht 1,300 Euro/m2. Në zonën e Bllokut, çmimet i kanë kaluar 1,600 euro/m2. Edhe jashtë zonës së Unazës, mesatarisht një apartament kushton rreth 1 mijë euro/m2.

Ndërtuesit evidentojnë se sektori i ndërtimit i ka përjetuar të gjitha krizat, sidomos lufta në Ukrainë ka dhënë efektet më të këqija. Kriza është ndjerë më shumë në ato kompani që kanë patur kontrata shtetërore. Sepse rritja e çmimeve ishte e menjëhershme duke nisur nga çmimi i karburanteve, hekurit, çimentos, bakrit, aluminit, të cilat natyrisht do pasqyroheshin në kostot e ndërtimit. Ndërkohë që shumë kompani kishin ofertuar me çmimet e vjetra,me çmimet e para krizës. Kurse në kontratat me shtetin që ndërtuesit kanë kritikuar sipas tyre janë të njëanshme, nuk ishin parashikuar ndryshimet.

Top Channel