Në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, kryebashkiaku Erion Veliaj përuroi dy shkolla të reja në njësinë nr.8 në Tiranë.
Veliaj tha se zona e “Bregut të Lumit”, në rrugën “Besa”, nga një zonë e lënë në harresë, po kthehet në një nga vendet më të lakmuara.
“Zona e ‘Bregut të Lumit’ cilësohej si një realitet jashtë vëmendjes, një zonë e ndërmjetme mes lumit dhe urbanistikës së Tiranës. Çdo gjë përtej Unazës, përtej rrugës ‘5 Maji’, konsiderohej një zonë pa zot, ku ndërtohej kuturu, ku nuk kishte urbanistikë, kanalizime. I kemi harruar këto! E kemi harruar se lumi përmbyste shtëpitë. Tashmë zona e ‘Bregut të Lumit’, me investimet që kemi bërë, duke filluar nga shkolla e parë që ndërtuam, ‘Ardian Klosi’, apo gjithë lagjja e re që po zhvillohet, hapja e aksit të rrugës ‘5 Maji’, po kthehet në një nga zonat më të zhvilluara të Tiranës. Me autostradën që do të kalojë nga ana tjetër e lumit dhe 4 ura, që do e lidhin me zonën e Paskuqanit dhe Kamzës, do e bëjnë këtë zonë portën hyrëse të Tiranës. Do jetë zona ku do ketë më shumë rritje të vlerës së pronës se te 27 njësitë e Tiranës”, tha Erion Veliaj.
Kryebashkiaku gjatë fjalës së tij ironizoi edhe deklaratat e opozitës për të ardhurit në Tiranë.
“Unë e di se, teksa afron fushata në Tiranë, plas një modë patetike e atyre që garojnë, që bëjnë garë për të treguar kush është më ‘tirons’ dhe nuk është i ardhur në Tiranë. A thua se të ardhurit kanë sjellë probleme! Në fakt, të ardhurit kanë sjellë mundësi. Të ardhurit kanë sjellë krah pune, të ardhurit kanë sjellë talent, të ardhurit kanë sjellë sipërmarrje. Ndaj, duke filluar nga këta të ardhurit nga Korça, si Sevasti Qiriazi dhe Kiço Blushi, e deri tek ata të ardhur nga të gjithë cepat e Shqipërisë, unë besoj se ky qytet, nëse dikujt që lindi në fshatrat më të humbur të Tropojës ose në fshatrat më të humbur të Skraparit, i dha shansin që të bëhen kryeministra, president, po punove fort, po ishe anëtar i dobishëm i komunitetit, ti ia del të bësh një histori suksesi dhe respektohesh nga komuniteti”, tha Veliaj.
Top Channel