Në Gjirokastër rastet e të prekurve prej të dy tipeve të gripit stinor A dhe B kanë qenë në rritje përgjatë gjithë fillimit të vitit.

Më së shumti virozat janë shfaqur tek fëmijët duke bërë që reparti i pediatrisë të vijojë të jetë i mbingarkuar këto ditë. Edhe shkollat e kopshtet raportojnë frekuentim të ulët të fëmijëve për shkak të virozave agresive që marrin gati një javë kohë rikuperimi.

Gjatë fillimvitit janë konstatuar vetëm 10 raste pozitive me Covid 19 dhe sipas epidemiologëve situata e të prekurve me Covid është nën kontroll por gripi është në prag epidemie.

Rastet e atyre që paraqiten në urgjencën e spitalit “Omer Nishani” lidhen me pacientë që kanë patologji të tjera dhe kërkojnë asistencë në frymëmarrje ose trajtim për uljen e temperaturës. Rastet e të shtruarve në spital mes të rriturve nuk janë të larta por mjekët e qendrave shëndetësore konfirmojnë se shumë pacientë janë duke u trajtuar në banesa.

Situata e gripit ka shënuar një rritje të numrave edhe për shkak të qarkullimit të emigrantëve përgjatë festave të fundvitit, grumbullimeve masive dhe rinisjes së procesit mësimor. Numri i të vaksinuarve me vaksinën e gripit ka qenë më i lartë se çdo vit tjetër ndërsa një përqindje e lartë e popullsisë së qarkut ka kryer tashmë 3 vaksina anti Covid.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA