Tregu farmaceutik pritet të ketë mungesa të disa barnave pasi Ministria e Shëndetësisë nuk ka miratuar ende çmimet e reja të barnave.

Burime të Top Channel thonë se kompanitë farmaceutike i kanë çuar çmimet pranë Ministrisë që në muajin tetor dhe sipas ligjit të barnave, Ministria e Shëndetësise duhet të publikonte çmimet e reja që në datën 3 janar. Kjo vonesë e Ministrisë bën që kompanitë të mos mund t’i importojnë barnat në Shqipëri dhe kjo do të çojë në vonesa në furnizimin e farmacive me to.

Këtë shqetësim e ngriti para pak ditësh edhe presidentja e Urdhrit të farmacive, Zj. Diana Toma, e cila u shpreh se në ligjin e barnave duhet të ishin bërë disa ndryshime  dhe Agjencia e Barnave duhet të jetë e pavarur nga Ministria e Shëndetësisë.

“Këta kanë frikë nga institucionet e pavarura dhe nga heqja e pushtetit”, shprehet Toma.

Në shumë vende të Europës, Agjencitë e Barnave janë të pavarura nga Ministritë e Shëndetësisë, e cila si kompetencë të saj ka politikbërjen dhe jo rregullimin dhe mbarëvajtjen e tregut farmaceutik.

Top Channel