Të veshur me të zeza dhe me lule në duar/ Homazhet për “21 Janarin”, Rama në krah të familjarëve të viktimave

21/01/2023 11:11

Kryeministri Edi Rama bëri homazhet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në kujtim të katër viktimave të tragjedisë së “21 Janarit” së bashku me familjarët e të ndjerëve.

Kryeministri Edi Rama bëri homazhet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” së bashku me familjarët e të ndjerëve, në kujtim të katër viktimave të tragjedisë së “21 Janarit.

Rama dhe familjarët nderuan kujtimin e tyre duke lënë lule, në vendin ku katër viktimat ndërruan jetë.Të veshur me të zeza dhe me lule në duar, ata kanë lënë karafilat në vendet ku u vranë viktimat.

Sot bëhen 12 vite nga vrasja e katër protestuesve të cilët atë kohë protestonin para Kryeministrisë, më 21 Janar të 2011-ës kur Partia Socialiste ishte në opozitë ndërsa PD-ja dhe LSI-ja qeverisnin së bashku dhe kryeministër atëherë ishte Sali Berisha, ndërkohë Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm. Edhe pse kanë kaluar 12 vite nga ajo ditë familjarët thonë se ende nuk po shohin drejtësi.

Kujtojmë se në 21 Janar 2011 opozita socialiste kishte thirrur një protestë pas publikimit të një video në emisionin Fiks Fare, ku Ilir Meta atë kohë zëvendës kryeministër, në qeverinë Berisha shfaqej me një bllok të zi në dorë, duke bërë pazare me ish-ministrin e ndjerë Dritan Prifti. Protestuesit u përballën me plumbat e Gardës së Republikës, ku krahas Aleks Nikës mbetën të vrarë edhe Hekuran Deda, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj.

Të vetmit të dënuar për këtë krim të 12 viteve më parë janë ish-komandanti i Gardës së Republikës Ndrea Prendi me një vit burg dhe gardisti Agim Llupo me tre vite burg. Vrasja e Aleks Nikës, 12 vite më pas vijon të mbetet ende pa autor.

Si ndodhi vrasja e katër qytetarëve më 21 janar 2011

Më 21 janar 2011, opozita e atëhershme, sot në qeveri protestoi para Kryeministrisë. Protesta degradoi në dhunë dhe përplasje ndërsa nga brenda Kryeministrisë u hap zjarr duke sjellë edhe bilancin tragjik me katër viktima. Tubimi ndodhi pas publikimit të një video në emisionin Fiks Fare, ku Ilir Meta atë kohë zëvendës kryeministër, në qeverinë Berisha shfaqej me një bllok të zi në dorë, duke bërë pazare me ish-ministrin e ndjerë Dritan Prifti.

Ishte ora 14:00, kur protestuesit përshkuan rrugën në këmbë nga sheshi “Skënderbej” deri para Kryeministrisë, pasi policia kishte ndërmarrë masat që të mos lejonte asnjë mjet.  Turma nisi me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, ndërkohë që vetëm pak minuta më vonë, filloi hedhja e gurëve dhe sendeve të forta në drejtim të forcave të rendit. Situata u tensionua pasi protestuesit tentuan të hynë në oborrin e Kryeministrisë, ndërsa policia mbronte godinën e brendshme.

Për një moment nisën të dëgjoheshin të shtëna armësh nga brenda territorit të Kryeministrisë, dhe këto të shtëna lanë të vdekur Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn. Ky i fundit, pas mjekimit paraprak në Spitalin Ushtarak të Tiranës, u dërgua për kurim të specializuar  në Turqi, ku dhe vdiq pas disa ditësh. Kryeministri i atëhershëm, Berisha doli në konferencë për shtyp, duke deklaruar se donin t’i bënin puç, ndërkohë që opozita u shpreh se shteti nëpërmjet Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit, kishte vrarë katër qytetarë të pafajshëm shqiptarë.

Partia Socialiste akuzoi si urdhërues të vrasjeve kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm. Por, Berisha nuk u ndal vetëm me akuzat për PS-në, ai sulmoi ashpër Prokurorinë, SHISH-in dhe Presidentin e Republikës, të cilët, sipas tij, donin ta rrëzonin me dhunë.

Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA