Përkujtohen viktimat e “21 Janarit”/ Kryeministri dhe familjarët vendosin lule në vendin e vrasjes

21/01/2023 14:30

Në të 12-tin përvjetor të vrasjes nga plumbat e Gardës së Republikës, të Aleks Nikës Hekuran Dedës, Ziver Veizit  dhe Faik Myrtajt, kryeministri Edi Rama udhëhoqi përkujtimin e tyre.

Në krah i qëndronte Ana, vajza e Ziver Veizit e pak më tutje familjarët e tre të ekzekutuarve të tjerë në 21 Janar 2011,  shënuar si dita më errët e Shqipërisë post-komuniste.

Vendosja e luleve në katër pllakatet përkujtimore ia la vendin një takimi të familjarëve në Kryeministri.  Ana Veizi, vajza e Ziver Veizit vijon të kërkojë drejtësi.

“Unë gjithmonë do të kërkoj drejtësi e them çdo vit, unë vetë studioj për drejtësi, unë besoj tek drejtësia morale, do përpiqem ti shkoj deri në fund me aq mundësi do të kem unë”, tha ajo.

Vitet kalojnë, por Mark Nika, xhaxhai Aleks Nikës, bën të njëjtin apel.

“Ne vijmë për të respektuar Aleksin, për të kërkuar drejtësi, vijmë për t’i dhënë kurajë edhe drejtësisë që të merret me çështjen tonë, që fajtorët të dalin para drejtësisë”, tha ai.

Pas 12 vitesh ende nuk është dhënë tërësisht drejtësi për 21 janarin. Kjo ngjarje tragjike kulmoi si një përplasje politike mes qeverisë së asaj kohe drejtuar nga Sali Berisha dhe opozitës socialiste drejtuar nga Edi Rama.

Opozita doli në protestë pas publikimit të video përgjimit që ish ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti i bënte shefit të tij politik dhe ku diskutohej për në pagesë ryshfeti. Ai skandal përfundoi me pafajësi në gjykatë, ndërsa sot sërish vendosën lule për viktimat për të cilët nuk është dhënë drejtësi.

FOTO GALERI
1/35

Top Channel