Dhjetëra mijëra izraelitë iu bashkuan protestave të shtunën kundër planeve të kryeministrit Netanjahu për reformë në drejtësi. Protestuesit thanë se ato rrezikojnë parimin e kontrollit e balancës mes pushteteve.
Qeveria thotë se reforma është e nevojshme për të frenuar tejkalimin e kompetencave nga ana e disa gjyqtarëve. Por këto qëndrime kanë ndeshur në kundërshtimin e ashpër të disa grupimeve, duke zgjeruar edhe më tej ndarjet e thella politike që ekzistojnë në shoqërinë izraelite.
Zoti Netanjahu ka folur kundër protestave, që kanë hyrë tashmë në javën e tretë të tyre. Ai i ka quajtur ato si një përpjekje e kundërshtarëve të majtë për të mos pranuar rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit të kaluar, të cilat sollën në pushtet një nga qeveritë më të djathta në historinë e Izraelit.
Protestuesit thonë se e ardhmja e demokracisë izraelite është në rrezik nëse qeveria realizon planet e saj. Reforma do të forconte kontrollin e qeverisë mbi emërimet në gjyqësor e do të kufizonte kompetencat e Gjykatës së Lartë për të rishikuar vendimet e qeverisë.
Përveç kërcënimit të pavarësisë së gjyqtarëve dhe dobësimit të mbikëqyrjes së qeverisë dhe parlamentit, ata thonë se reforma do të minojë të drejtat e pakicave dhe do të hapë derën për më shumë korrupsion.
Sipas medias izraelite protestat e së shtunës kanë bërë bashkë më shumë se 100,000 persona në qendër të Tel Avivit.
Top Channel