Ukraina po kërkon tanke të cilat do të shërbejnë për t’i bërë ballë luftës ruse, por aleatët e NATO-s presin vendimin nga Gjermania.

Me një aleat të NATO-s në anën e tij, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Reznikov, kërkoi përsëri një dhurim të tankeve të betejës, duke i konsideruar të rëndësishme për Ukrainën.

Ministrja e Mbrojtjes e Kanadasë Anita Anand premtoi 200 transportues të tjerë të blinduar të personelit.

Ajo nuk përjashtoi dërgimin e tankeve, megjithëse sinjalizoi se Kanadaja po priste rezultatet e takimeve shumëpalëshe të mbrojtjes më vonë këtë javë.

“Gjatë vizitës së sotme produktive në Kiev, u takova me zyrtarë ukrainas, duke përfshirë mikun dhe kolegun tim Ministrin Reznikov, për të mësuar rreth nevojave më urgjente të sigurisë të Ukrainës”, tha Anand sipas CNN.

Kanadaja së bashku me Poloninë dhe Finlandën, po shqyrtojnë dërgimin e tankeve luftarake të prodhimit gjerman në Ukrainë, por nuk mund ta bëjë këtë nëse Berlini nuk jep miratimin.

Gjermania të martën tregoi një hezitim për të miratuar dërgesat, nëse SHBA nuk dërgon tanket e veta.

“Ne nuk do të shkojmë kurrë vetëm, sepse kjo është e nevojshme në një situatë shumë të vështirë si kjo”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz.

Ministrat e mbrojtjes të NATO-s filluan një takim dy-ditor në Bruksel dhe do të vijojnë me takime në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, ndërsa aleatët e Ukrainës do të vendosin se si t’i furnizojnë me pajisje ushtarake.

SHBA-ja gjithashtu ka hezituar t’i dërgojë Ukrainës tankun e saj M-1 Abrams, megjithëse Pentagoni nuk e ka përjashtuar këtë.

Top Channel