Kushtet atmosferike në Gjirin e Durrësit janë drejt përkeqësimit, ndaj kapiteneria detare në bashkëpunim me operatorët detarë ka marrë masat për sigurimin e anijeve dhe trageteve në kalatë.
Dy tragetet e linjës së Barit kanë mbërritur në kohë mëngjesin e sotëm.
Një anije cisternë për shkaqe sigurie nuk mund të hyjë në port dhe po qëndron në radë, pas Kepit të Palit, në pritje të qetësimit të erës që fryn nga jugu.
Aktualisht, deti regjistron forcën 6 ballë dhe lundrimet janë pezulluar që nga e hëna për anijet e tonazhit të ulët dhe të gjitha mjetet e sektorit të peshkimit. Sipas Kapitenerisë portuale të Durrësit në orët e pasdites era do të forcohet dhe deti do të arrijë forcën 7-8 ballë. Pavarësisht përkeqësimit në vazhdim të motit, nuk ka njoftim për shtyrje të orarit të nisjes së trageteve nga porti i Durrësit drejt Barit dhe anasjelltas.
Autoritetet detare respektive do të ndjekin situatën detare në orët e ardhshme për të vendosur rreth lundrimeve në Adriatik.
Edhe në Vlorë, deti i trazuar dhe me dallgë pengon ankorimin e anijeve. Mjetet e vogla të lundrimit janë paralajmëruar për situatën, që pritet të përkeqësohet më tej gjatë pasdites.
Top Channel