Krenaria e shkollës/ Historia e Brikenit, autizmi nuk e pengon të jetë mes më të mirëve

14/01/2023 15:35

Autizmi nuk ka qenë pengesë për Brikenin për të shkëlqyer jo vetëm në mësime, por edhe në shfaqje teatrale dhe ekspozita.

“Unë jam djalë guximtar dhe këmbëngul në atë që dua”, tha Briken Hasimi.

Briken Hasimi, është ndër krenaritë e gjimnazit “Qemal Stafa”. Ai është aktiv jo vetëm në orët e mësimit, por angazhohet edhe në aktivitetet sportive e veprimtaritë artistike.

“Brikeni është një nxënës që çdokush do donte ta kishte. Ai është model frymëzimi për t’u ndjekur sepse ka forcë për të ecur përpara”, u shpreh Klodita.

Gjithëpërfshirja në arsim është sfidë e ditëve të sotme, por për Brikenin rrugëtimi shkollor është edhe më i sigurt krah motrës së tij, Borës, e cila njëkohësisht është edhe praktikante për mësuese në lëndën e sociologjisë dhe filozofisë.

“Ndihem më e lehtësuar se e shoh që ka mbështetje nga klasa si dhe mësuesit”, tha Debora Hasimi-motra e Brikenit.

Përveç matematikës që 17-vjeçari has vështirësi, letërsia dhe arti kanë nxjerr në pah talentet e tij. Me mësuese Florindën ai vitin e parë gjatë orëve të mësimit në artin pamor u bë pjesë e shumë ekspozitave,

“Është një djalë shumë këmbëngulës. E do shumë zysha”, deklaroi mësuese Florinda.

Ndërsa këtë vit shkollor në lëndën e teatrit realizoi shfaqjen e parë në Teatrin Metropol.

“U emocionuam shumë. Edhe prindërit qanë kur më panë se i realizova të gjithë skenat!”, tha Brikeni.

Top Channel