70-vjetori i teatrit profesionist mblodhi në Durrës figura të njohura të skenës dhe ekranit që i kanë dhënë jetë ndër vite një prej teatrove më të rëndësishëm në vendin tonë.
70 vjet më parë u hodhën themelet e teatrit “Aleksandër Moisiu”, këtij institucioni artistik e kulturor që ka bërë histori duke dhuruar emocione e përcjellë mesazhe të forta përmes kryeveprave të shumta të artit botëror dhe shqiptar.
Në ceremoninë gala që u organizua me këtë rast dhe u drejtua nga regjisori i mirënjohur Haxhi Rama, u shfaq premierë dokumentari për 70 vjet histori teatrore, përgatitur nga Driada Dervishi dhe Julian Shyti.
“Gëzuar 70-vjetorin e themelimit të teatrit! Gëzuar! U emocionova shumë nga dokumentari që më dha shumë emocion se ishte qëndisur dhe më dha të gjithë argumentat për të thënë se ka ardhur koha që teatrit të Durrësit t’i jepet titulli “Nderi i Kombit”, tha aktori Mirush Kabashi.
Gjatë ceremonisë, u nderuan nga Bashkia e Durrësit me titullin “Mirënjohja e qytetit” 16 figura që kanë lënë gjurmë në teatër.
“Është kënaqësi të thirrem në skenë nga Aishe Stari. Ndjehem i nderuar që thirrem nga organizatorët këtu. Sot kam fatin të shoh nga afër aktorë që i kam admiruar nga salla dhe ekrani e padyshim një nga ata është dhe Mario Ashiku, aktor e regjisor dhe pedagog i shkëlqyer”, u shpreh Altin Basha.
“Vajza nga fshati” e shkrimtarit Fatmir Gjata, vënë në skenë nga regjisori Pandi Stillu ishte shfaqja e parë e këtij teatri, që në këtë 70-vjetor do të vijë me një tjetër vepër.
“Dua të jap një lajm të bukur që do të fillojmë provat për komedinë “Borgjezi fisnik” të Molierit që më 15 janar ka ditëlindjen dhe ajo do të jepet më 12 prill për të përkujtuar shfaqen e parë të teatrit, “Vajza nga fshati” që është dhënë po më 12 prill 1953″, tha regjisore e teatrit, Driada Dervishi.
Top Channel