Kryeministri Albin Kurti ka treguar për gazetën austriake, Der Standard detaje nga propozimi franko-gjerman i ideuar nga BE, për arritjen e një marrëveshjeje gjithpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë si dhe pjesë nga biseda me presidentin serb, rreth Asoaciacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Në propozim janë përfshirë disa nga paragrafët e marrëveshjes gjermano-gjermane të vitit 1972. Por Willy Brandt shkoi paraprakisht në Varshavë dhe kërkoi falje. Dhe marrëveshja ishte e mundur sepse dy Gjermanitë morën një vend në OKB nëntë muaj më vonë. Por me Rusinë dhe Kinën, ne nuk kemi një shans të tillë. Shto këtu faktin se pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën duhet të jenë gjithashtu aty”, ka thënë Kurti duke shtuar se nuk ka hapa konkretë për njohjen nga këto vende, përveç Greqisë.
Kurti foli gjatë edhe për asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Vuçiçit i thashë se kam krijuar përshtypjen se ai nuk e dëshiron asociacionin e komunave, sepse nuk mund të duash asociacion të komunave dhe të thuash çdo javë: ‘Nuk do ta njoh shtetin e Kosovës’”, tregoi Kurti.
Tani, duke ndjekur planin e Francës dhe Gjermanisë, kryeministri i Kosovës tha se kemi hyrë në një fazë të re.
Ai u shpreh se po bashkëpunon ngushtë me ndërkombëtarët, por tha se nuk ndjen që po e trajtojnë njësoj.
“Perëndimi ka njëfarë frike nga potenciali destabilizues i Serbisë dhe nga ana tjetër, ekziston naiviteti të mendosh se Serbia mund të detyrohet të kthehet përsëri në Perëndim së shpejti”, përfundoi Kurti.
Top Channel