​KE mirëpret përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar reformat lidhur me BE-në

12/01/2023 19:02

Komiteti VI i Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës u mbajt më 12 janar 2023.

Komiteti diskutoi zhvillimet kryesore politike dhe vlerësoi gjendjen lidhur me kriteret politike dhe ekonomike, përafrimin me legjislacionin dhe standardet e BE-së, bashkëpunimin financiar, si dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA).

Komisioni Evropian përshëndeti përkushtimin e vazhdueshëm të Qeverisë dhe përpjekjet e saj për të zbatuar reformat lidhur me BE-në, përfshirë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë, dhe nënvizoi rëndësinë që këto hapa të çohen deri në fund.

Gjithashtu është bërë punë për të hedhur themelet për përparim të qëndrueshëm në disa fusha, përfshirë tranzicionin e gjelbër dhe atë energjetik, si dhe inovacionin. Komisioni vlerësoi Kosovën për forcimin e kapaciteteve për të koordinuar zbatimin e MSA-së dhe mekanizmave përkatës të monitorimit dhe raportimit.

BE-ja ripërsëriti zotimin dhe gatishmërinë e saj për të vazhduar të ofrojë këshilla për të shmangur mospërputhshmërinë e veprimeve të Qeverisë me zotimet e saj sipas MSA-së.

Kosova përmendi dorëzimin së fundmi nga ana e saj të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar përkushtimin e saj të fortë për të avancuar më tej në rrugën drejt BE-së përmes zbatimit të reformave të kërkuara.

Komisioni inkurajoi Qeverinë që të angazhohet më ngushtë me të gjitha partitë politike në Kuvend, përfshirë ato nga opozita, për të ruajtur konsensusin politik në rrugën drejt BE-së, si dhe për Dialogun Beograd-Prishtinë.

Komisioni i kërkoi Qeverisë që të bëjë përparim të shpejtë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të zbatojë plotësisht të gjitha marrëveshjet e kaluara dhe të përmbahet nga çfarëdo veprime apo deklarata përçarëse që nuk kontribuojnë në një mjedis të favorshëm për dialog.

Komiteti nënvizoi rëndësinë e përafrimit me standardet e mira të BE-së në të gjitha fushat, veçanërisht në sundimin e ligjit, reformën e administratës publike, zhvillimin ekonomik, tregun e brendshëm, arsimin, energjinë dhe mjedisin. Komisioni ripërsëriti rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit makro-financiar. Palët presin të diskutojnë më tej përparimin e bërë në këto fusha kyçe në Këshillin e ardhshëm të Stabilizim-Asociimit.

Top Channel