Gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat ka shpjeguar skemën e vjedhjes së 1.2 milionë eurove, pasi Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave së bashku me një drejtor të këtij institucioni dhe një përmbarues privat, duke shpërdoruar detyrën kanë kompensuar për privatizimin e një ndërmarrjeje shtetërore, pavarësisht se ishte paguar dhe herë tjetër, një person të identifikuar si Ilir Thana, i cili u arrestua në dhjetor të vitit 2022.

E ftuar në “Top Story” këtë të mërkurë, Bezat tregoi se si Thana kërkoi të kompensohej si ish-pronar i një prone në kryeqytet, ndonëse ai vetë e kishte blerë këtë pronë në vitin 1992 dhe më pas e kishte shitur.

“Prokuroria e Tiranës kishte muaj që merrej me këtë çështje dhe në dhjetor të vitit të kaluar është bërë arrestimi i Ilir Thanës, personit që ishte përfitues i këtyre parave të marra në kundërshtim me ligjin, për shkak të shpërdorimit të detyrës të zyrtarëve në Ministrinë e Financave. E para është vjedhja dhe e dyta pengimi për ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Në vitin 1992, Thana kishte përfituar një magazinë dhe një truall nga Enti Shtetëror. Vetëm tre vite më vonë, me anë të agjencisë së kompensimit dhe kthimit të pronave, kjo godinë i është kthyer ish-pronarit me kushtin që Ilir Thana të mund t’i kthehej vlera që e kishte blerë, me indeksin e rritjes së çmimit. Magazina me një sipërfaqe afërsisht 160 metra katrorë ndodhej në Tiranë, pranë rrugës së Elbasanit”.

Kthimi i lekëve është bërë në vitin 1995, por vite më vonë, deri në vitin 2015, është bërë shlyerja e plotë e shumë nga Ministria e Financave, thotë gazetarja në “Top Story”:

“Por, çudia ndodh më vonë kur vetë Ilir Thana, me anë të një përmbaruesi privat, bën një rivlerësim të pronës dhe kërkon nga Ministria e Financave të shfaqet si ish-pronar, pra jo si një person që e kishte blerë këtë godinë në ’92, por shfaqet si ish-pronar dhe kërkon një vlerësim tjetër të pronës. Me anë të dokumenteve që ka mundur të sigurojë nga sekretari i përgjithshëm dhe nga drejtori juridik, kërkon shumën prej 1.2 milionë eurove”.

Ndërsa sipas ish-prokurorit të krimeve të rënda, Eugent Beci, duhet të kemi të bëjmë me një tejkalim të kompetencave nga struktura që kanë të bëjnë me Ministrinë e Financave dhe me zyrën përmbarimore.

“Kemi të bëjmë me një vendim gjykate që ka vendosur se nga 120.000 lekë që ka kushtuar godina në vitin 1992, të indeksohet dhe të kthehet. Duket se e ka marrë dhe e ka interpretuar Ministria e Financave bashkë me përmbaruesit. Por, nuk mund të interpretohet vendimi gjyqësor. Vendimin gjyqësor e interpreton vetëm gjykata, e saktëson vetëm gjykata. Nëse gjykata ka thënë të indeksohet vlera me të cilën personi e ka blerë, nuk mund të rivlerësohet dhe të indeksohet sërish trualli”.

Lexo edhe: Arrestohet zyrtari i financave! Sekretari i përgjithshëm, një drejtor i financave dhe një përmbarues

Top Channel