Raportime për luftime, hyn në fuqi i ashtuquajturi ‘armëpushim’ i Kremlinit

06/01/2023 13:40

Armëpushimi i shpallur nga Kremlini në Ukrainë, për Krishtlindjen Ortodokse, hyri në fuqi më 6 janar, por është e paqartë nëse ndonjëra palë do t’i përmbahet, pasi Kievi dhe disa qeveri perëndimore – përfshirë Qeverinë amerikane – e quajtën armëpushimin si pretekst të Rusisë për t’u rigrupuar, pas ngecjeve që ka pësuar në fushëbetejë gjatë javëve të fundit.

Televizioni rus tha se armëpushimi hyri në fuqi në mesditë, me kohën lokale të Moskës, dhe do të zbatohet “përgjatë gjithë vijës së kontaktit” në Ukrainë.

Por, zyrtarët ukrainas në Kramatorsk raportuan për bombardime dhe agjencia shtetërore e lajmeve ruse, TASS, tha se forcat ruse kanë granatuar Donjeckun “pikërisht në mesditë”. Ndërkaq, Ukrinform raportoi se pothuajse një orë pas nisjes së armëpushimit janë lëshuar në mbarë vendin sirenat paralajmëruese për sulme ajrore.

Asnjë nga këto raportime nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Presidenti rus, Vladimir Putin, shpalli armëpushimin dhe tha se do të hyjë në fuqi në orën 09:00 të 6 janarit, sipas kohës lokale, dhe do të jetë në fuqi deri në mesnatën e 7 janarit. Por, homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, hodhi poshtë këto thirrje, duke thënë se Rusia do ta përdorte këtë kohë për të përmirësuar pozicionin e saj në fushëbetejë.

“Çdokush në botë e di se si Kremlini përdor pauzën në luftë për të vazhduar me një fuqi të re”, tha Zelensky përmes një video-mesazhi të publikuar në orët e vona të 5 janarit.

Nuk është e qartë nëse Ukraina do t’i përmbahet armëpushimit, dhe as Moska nuk ka thënë nëse do të hakmerret nëse forcat ukrainase i sulmojnë.

Gjatë festimeve të Vitit të Ri, Rusia nisi sulme ajrore në disa lokacione brenda Ukrainës.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Putin po “tenton të gjejë oksigjen” duke përdorur armëpushimin.

Armëpushimi i shpallur nga Rusia u dënua nga ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, që tha se armëpushimi “nuk sjell as liri apo siguri për banorët që çdo ditë jetojnë me frikë nën pushtimin rus”.

Putin shpalli armëpushimin në të njëjtën ditë që Berlini dhe Uashingtoni u zotuan për ndihmë shtesë ushtarake për Kievin – përfshirë makina të blinduara për këmbësorinë, Breadly dhe Marder. Po ashtu, SHBA-ja ka premtuar edhe sisteme të tjera kundërajrore Patriot.

Zyrtarët amerikanë thanë më 5 janar se paketa e re e ndihmës së Uashingtonit, që përfshin dhjetëra makina Bradley, është në total prej pothuajse 3 miliardë dollarësh. Kjo do të jetë paketa me vlerën më të lartë që Uashingtoni do t’i japë Ukrainës, që po përballet me pushtimin rus që nga 24 shkurti i vitit 2022./Rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA