Dhoma e Përfaqësuesve ende pa kryetar, sot dita e tretë e votimit

05/01/2023 21:01

Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve do të votojnë sot përsëri në përpjekje për të zgjedhur kryetarin, pasi republikani Kevin McCarthy humbi tre raunde të tjera votimi dje, për shkak të mungesës së mbështetjesh një grup ligjvënësish konservatorë.

Zoti McCarthy tha pas një raundi bisedimesh në orët e vona të djeshme se po bëhet përparim, ndërkohë që ka njoftime se në përpjekje për të siguruar votat e grupit konservator, ai po bën lëshime ndaj kërkesave të tyre që më parë i kishte konsideruar të papranueshme.

Sipas burimeve që janë cituar në disa media, ai ka pranuar që ta ulë nga pesë në një numrin e ligjvënësve që mund të kërkojnë një votim për të shkarkuar kryetarin, si edhe ka pranuar që fraksioni konservator të zgjedhë një të tretën e anëtarëve të partisë republikanë në një nga komisionet më të fuqishme të Dhomës, që përcakton se çfarë ligjesh shqyrtohen në punimet e Kongresit. Plotësimi i këtyre kërkesave do ta dobësonte pozitën e tij si kryetar, nëse zgjidhet.

Për të dytën ditë radhazi, një grup ligjvënësish konservatorë, në raunde të njëpasnjëshme votimi nuk i dhanë mbështetjen zotit McCarthy, duke bllokuar emërimin e tij.

Republikanët që kundërshtojnë kandidaturën e zotit McCarthy thanë se debati është shenjë e një demokracie të shëndetshme.

“Ajo që shoh unë është energjia, një energji e madhe në këtë grup republikan që do të punojë për amerikanët”, tha ligjvënësi Mike Gallagher.

Analistë konservatorë kritikuan republikanët për shtyrjen por edhe pranuan shqetësimet e konservatorëve për zotin McCarthy.

“Populli amerikan votoi për qeverisje. Amerikanët votuan për kontrolle dhe balanca. Ata nuk votuan që republikanët të shkonin në Uashington dhe të humbnin kohë me grindje mes tyre dhe arrogancë”, tha komentatori i televizionit Fox News, Sean Hannity.

“McCarthy nuk është shumë konservator. Ai në fakt është ideologjikisht neutral, është elastik. Elektorati i tij i vërtetë është komuniteti lobues në Uashington. Dhe nëse ke bindje të vërteta politike, kjo është indinjuese”, tha analisti tjetër Tucker Carlson.

Në komentet e tyre, demokratët theksuan mbështetjen për ligjvënësin Hakeem Jeffries për postin e kryetarit – megjithëse votat e demokratëve nuk mjaftojnë që ai të zgjidhet.

“Nuk do të kishte dezertime nga demokratët. Ne jemi këtu. Nëse ata duan të angazhohen, ne jemi të hapur”, tha ligjvënësja Alexandra Ocasio-Cortez.

“Është e turpshme. Procesi po zgjat shumë nga mënyra se si po sillen. Dhe pjesa tjetër e botës po shikon dhe shtron pyetjen nëse mund ta zgjidhim”, tha Presidenti Joe Biden.

Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara nuk mund të funksionojë dhe anëtarët e rinj nuk e bëjnë dot betimin pa u zgjedhur kryetari. Ligjvënësit pritet të votojnë përsëri sot./ Zëri i Amerikës

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA