Astronomët panë një çerdhe yjore në një dritë të re, falë teleskopit të vëzhgimit të dukshëm dhe infra të kuqe për astronominë në Kili.
Teleskopi VISTA, vëzhgoi Mjegullnajën Sh2-54 në dritën infra të kuqe, e cila është e padukshme për syrin e njeriut.
Ndërsa drita e dukshme, e cila është ajo që ne mund të shohim, absorbohet nga pluhuri ndëryjor, drita infra e kuqe mund të depërtojë nëpër retë e trasha të pluhurit në hapësirë për të zbuluar detaje të padukshme më parë.
Imazhet me rreze infra të kuqe të mjegullnajave po i ndihmojnë astronomët të mësojnë më shumë se si formohen yjet. Imazhi i ri zbuloi një mori yjesh pas shkëlqimit portokalli të mjegullnajës.
Mjegullnajat e shumta që nxisin formimin e yjeve, ndodhen në fundin e bishtit të konstelacionit Serpens – të quajtur kështu për shkak të ngjashmërisë së tij me një gjarpër. Këto pika të nxehta të lindjes së yjeve përfshijnë mjegullnajat Shqiponja, Omega dhe Sh2-54.
Astronomët u përqendruan në Mjegullnajën Sh2-54, e vendosur rreth 6000 vite dritë nga Toka. “Sh” në emrin e objektit kozmik i referohet astronomit Stewart Sharpless, i cili ishte përgjegjës për katalogimin e më shumë se 300 mjegullnajave në vitet 1950.
Imazhi është marrë duke përdorur kamerën shumë të ndjeshme prej 67 milionë pikselësh në teleskopin VISTA si pjesë e Variablave VISTA në sondazhin Via Láctea eXtended.
Top Channel