Borxhet e pashlyera të bashkive të kthyera në gangrenë që nuk po zerohen rëndojnë qytetarët mesatarisht për rreth 2 300 lekë për frymë sipas raportit të Financave Vendore.
Janë këto shifrat deri në fund të tremujorit të tretë të vitit, ndërsa detyrimet e prapambetura të pushtetit vendor në fund të periudhës arritën në 6.6 miliardë lekë. Në raport me tremujorin e mëparshëm stoku i borxheve të pashlyera të bashkive shënoi rënie, ndërsa u rrit me gati 70 milionë lekë krahasuar me fundin e vitit 2021.
Tirana mban edhe peshën kryesore me nivelin më të lartë me 1.3 miliardë lekë duke shënuar një rritje të stokut këtë vit, ndjekur nga bashkia e Kavajës dhe Vorës që janë edhe dy njësitë në krizë financiare, që nëse Financat vënë në zbatim udhëzimin e tyre rrezikojnë të menaxhohen nga një administrator shtetëror.
Por, kujt i detyrohen 61 bashkitë e vendit? Sipas të dhënave, gati 56% e tyre i përkasin detyrimeve për investime të kryera dhe mospagimin e tyre në kohë, ndërsa pjesa tjetër për shërbime, detyrime të krijuara nga vendimet gjyqësore apo për mallra e shërbime të tjera.
Pak kohë më parë Financat kanë hedhur për konsultim publik edhe një projektligj që synon zerimin e borxheve të pashlyera të bashkive, ku një ndër ndryshimet e propozuara parashikon që fondet e papërdorura nga viti i mëparshëm, jo më pak se 30% e tyre të shkojnë për pagesën e këtyre detyrimeve të pushtetit vendor.
Top Channel