Rusia “thyhet” përpara shteteve jomiqësore, përfshirë Shqipërinë: Paguani si të doni!

31/12/2022 13:48

Moska ka bërë një hap prapa në politikat e saj kundrejt vendeve të shpallura si “jomiqësore”, duke lejuar tani që shtetet në fjalë ta shlyejnë  borxhin e tyre për furnizimet me gaz natyror në valuta të huaja.

Një lëvizje e tillë ishte pasojë e ndryshimeve të bëra në dekretin e lëshuar më herët nga presidenti  Vladimir Putin.

Dokumenti i publikuar sot në faqen e Qeverisë ruse ne internet, shpjegonte se furnizuesit e gazit natyror mund të bëjnë marrëveshje me blerësit nga shtetet “jomiqësore” në valuta të huaja, të specifikuara në kontratë.

Borxhi për furnizimet me gaz do të konsiderohet i paguar pasi paratë nga blerësit e huaj të jenë dërguar në bankën e autorizuar, ku një llogari speciale është hapur me qëllimin të marrë pagesat.

Dekretin e mëparshëm, Putini e kishte nënshkruar në muajin mars e përmes tij detyroheshin konsumatorët “jomiqësorë” europianë të hapnin llogari bankare në rubla në Gazprombank, dhe të paguajnë në rubla, nëse dëshironin të merrnin gaz natyror rus. Ky dekret ka prekur vetëm furnizimet që janë bërë nga Gazpromi.

Furnizimet u ndërprenë më vonë për disa kompani dhe shtete, si Polonia dhe Finlanda, që refuzuan të pajtoheshin me kushtet e Rusisë. Vendimi i Moskës për pagesat në rubla erdhi pasi Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vendosën sanksione të ashpra ndaj saj për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Në muajin mars, Rusia vendosi tre shtete të Ballkanit,  Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në listën e saj të zezë të vendeve jo miqësore, listë kjo që përmbante dhe anëtaret e BE-së.

Top Channel